E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja, ndryshimet dërgohen në seancë

Në mbledhjen e tretë nuk u mor vendim, opozita kundërshton

Këshilli i Rregullores së Mandateve nuk ka vendosur asgjë për ndryshimin e rregullores, duke e lënë gjithçka për seancën parlamentare ku si mazhoranca si opozita do të votojnë për qëndrimet e tyre politike. Kjo sepse dje nuk është arritur një qëndrim i përbashkët. Mazhoranca mbron votimin e hapur, ndërsa opozita kërkon të ruhet votimi i fshehtë. Deputetët e PD-së, deklaruan dje në mbledhjen e Këshillit se transparenca në votimin e kandidaturave është një instrument thelbësor parlamentar. Përfaqësuesi i PS-së në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, Damian Gjiknuri, tha se "Ne i qëndrojmë pikëpamjes se mekanizmi i votës së hapur për votimin e kandidaturave do të jetë një mekanizëm kontrolli vote në mënyrë mekanike, që ato (kandidaturat) të vlerësohen politikisht dhe jo në bazë të kritereve ligjore e kushtetuese, që duhet të vlerësojë Kuvendi para se të japë pëlqimin". Ndërsa, ndryshimi tjetër në rregullore, që lidhet me mbajtjen e seancave dëgjimore me emrat e përzgjedhur nga Presidenti për postet në Gjykatën e Lartë e Kushtetuese, sipas Gjiknurit: "synon t'i kompleksojë e linçojë publikisht këto kandidatura, në mënyrë që ose ata të tërhiqen vetë ose të dënohen me një votë politike nga ana e mazhorancës".

Njëri nga anëtarët e këtij këshilli, deputeti socialist, Kastriot Islami, tha se mes mazhorancës dhe opozitës nuk është rënë ende dakord mbi procedurën si do të votohet dhe se debati do të vazhdojë. “Nismëtarët mbeten të vendosur për votimin e hapur të dekreteve të Presidentit kur bëhet fjalë për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Nga pala tjetër u dhanë të gjitha elementet që votimi duhet të bëhet sipas rregullores së miratuar me konsensusin e palëve në momentin kur është hartuar”.

Ndryshimi i parë i rregullores konsiston në votimin e hapur të dekreteve të Presidentit, ndryshe nga mënyra si është bërë deri më sot, kur votimi i tyre është bërë me kuti ose i fshehtë me elektronikë. Votimi i hapur ka efekt dhe për transparencën e procesit, që publiku të njohë shprehjen e vullnetit politik të Kuvendit në mënyrë të qartë dhe pa ekuivokë. Amendamenti i dytë parashikon ndryshimin e afateve kohore të shqyrtimit dhe votimit të dekreteve në Kuvend nga tri javë që është aktualisht, në tetë javë. Ky ndryshim synon të mundësojë një seancë dëgjimore më të plotë dhe më cilësore me kandidatët për postet në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, para se dekretet të përcillen në Kuvend.

Islami tha se debati do të vazhdojë në seancën e së enjtes në Parlament kur do të ketë mbërritur dhe një informacion për mënyrën si veprohet në vendet e Europës për të bërë dhe përafrimin me modelin shqiptar. “është kërkuar një informacion më i imtësishëm si aplikohet në vendet e Europës, ndërsa në SHBA votimi është i hapur. Më pas do synohet të përafrohet modeli shqiptar për të arritur në argumente që do përplasen në seancën në Parlament. PS kërkon që votimi i dekreteve të bëhet siç e cakton rregullorja e Kuvendit, e cila është miratuar me konsensusin e dy palëve. Por “shanset janë që në seancën e së enjtes këto amendamente të votohen në Parlament në mënyrë të njëanshme nga ana e mazhorancës”, tha Islami.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›