Romeo kishte armë të vërtetë, por fishekët në xhep
Grabitësi i bankës, njëkohshëm rrëmbyesi i studentes, Romeo Leka, zotëronte armë të vërtetë, ndërsa fishekët i kishte futur në xhep. Ky ka qenë konkluzioni i ekspertëve të policisë, të cilët kanë shuar njëherë e mirë të gjitha dyshimet se grabitësi kishte në dorën e djathtë një armë lodër. Sipas ekspertëve, arma e tipit “Beretta”, ishte e rregullt për qitje, me krehër të vënë, por që në të nuk kishte fishekë. Municioni i kalibrit 9mm, plot tetë fishekë, iu gjet grabitësit në xhepin e xhupit. Ekspertët thanë se arma ishte e kromuar, e prodhimit të viteve ‘90 dhe në të nuk kanë gjetur asnjë gjurmë për të përcaktuar nëse është qëlluar më parë me të apo jo. Policia, duke iu referuar edhe deklarimeve të personit të dyshuar për grabitje, ka thënë se Leka e ka përdorur armën vetëm për presion dhe me ndihmën e saj ka kryer grabitjen në bankën e njohur në katin e dytë të një hoteli fare pranë Kryeministrisë, Presidencës dhe Kryesisë së Parlamentit. Grupi hetimor e ka futur në dosjen e 25-vjeçarit deklarimin e ekspertëve të Policisë Shkencore, sektor i varur nga Departamenti i Hetimit të Krimeve. Sot pritet që Prokuroria e Krimeve të Rënda ta dërgojë në gjykatë të dyshuarin Leka për masën e sigurisë që do të merret ndaj tij.
Veprimet e policisëDuke parë kohëzgjatjen e operacionit policor, apo dhe sjelljen deri diku të çorganizuar të grabitësit të bankës, dëshmitarë në vendngjarje menduan se gjithçka ishte “një lojë”. Disa prej tyre diskutonin se si ishte e mundur që me aq lehtësi një person i armatosur të hynte në ambientet e hotelit, duke sfiduar sigurinë e tij njerëzore dhe teknike. Nën kërcënimin e armës, punonjëset e bankës i kanë dhënë plot 3.1 milionë lekë dhe kanë njoftuar menjëherë drejtuesit e tyre, si dhe policinë, për atë që kishte ndodhur. Pas kësaj, grabitësi, duke ndierë prezencën e uniformave blu, ka preferuar të lëvizë drejt një prej zonave më të populluara të kryeqytetit. Romeo Leka nuk ka pasur makinë, këtë e ka deklaruar edhe në dëshminë e tij para hetuesve. Kur ka parë se ishin mbyllur të gjitha shtigjet për të, 25-vjeçari vendosi, ashtu si edhe në rastet e ngjashme të grabitjeve jashtë Shqipërisë, të marrë një peng. E parrahur me një rast të tillë, policia është dukur si e paorganizuar mirë në momentet e para, kjo për shkak edhe të pikut të mbipopullimit të zonës, por shumë shpejt ajo e ka kufizuar vendin e ngjarjes, dhe nga ky moment me një plan masash të detajuar ka mundur ta shpjerë rrëmbyesin drejt vendit më të përshtatshëm për ndërhyrje. Negocimi me autorin e ngjarjes ka vazhduar për rreth dy orë, kohë kjo e mjaftueshme për të analizuar situatën dhe për të përgatitur terrenin për ndërhyrjen e repartit më special të Policisë së Shtetit, RENEA-s. I ka takuar njësisë së gatshme të këtij reparti që të veprojë në kohën e duhur. Katër pjesëtarë të grupit të ndërhyrjes, duke pasur në mbështetje pjesën tjetër të njësisë dhe madje armët speciale në lartësitë dominuese të vendngjarjes, iu dha mundësinë atyre të vepronin me “akord” në drejtim të Romeo Lekës. Katër gryka zjarri të automatikëve “AK47” të modifikuar me shënjestra optike u gjendën përballë keqbërësit, pa llogaritur dhe infrat e kuqe të mbështetësve apo qitësve me armë speciale. Kjo e ka detyruar 25-vjeçarin të ngrinte në vend dhe ky ishte momenti kur “gorilla” e RENEA-s ka neutralizuar veprimet e tij dhe e ka vënë në pranga. Duke iu referuar rasteve të ngjashme në vendet europiane apo SHBA, specialistët thonë se është ruajtur qetësia për të mos e eliminuar pengmarrësin, pasi kishin parasysh moshën e re dhe nuk po tregoheshin agresivë ndaj pengut. Në të kundërt, ai edhe mund të ishte ekzekutuar, pasi në dy-tre raste qëndroi i shkëputur nga vajza që kishte marrë peng.
Skeda kriminaleRomeo Leka, i riu u që grabiti bankën dhe mori një peng, jetonte i vetëm në Shqipëri, pasi familja e tij jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 1998. Sipas policisë, familja Leka ka shkuar atje nëpërmjet lotarisë amerikane. Kreu i uniformave blu të Tiranës deklaroi se 25-vjeçari është arrestuar disa herë në SHBA për “Trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”, “Vjedhje me armë”, “Vjedhje banke” dhe për “Posedim të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake”. Po sipas tij, në gusht të vitit 2007, Leka është deportuar nga autoritetet e emigracionit të SHBA dhe ka jetuar te të afërmit e tij në qytetet Durrës, Kavajë, Burrel dhe Tiranë. Sipas policisë, ai është parë disa herë nga persona të ndryshëm në një nga lokalet e zonës së ish-Bllokut dhe mendohet se ka pasur një dhomë me qira në Shkozë. Përveç grabitjes dhe rrëmbimit, Leka është i dyshuar si autor i vjedhjes me armë të mbetur në tentativë të filialit të bankës “Union Bank”, e ndodhur pak ditë më parë në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, si dhe i tentativës së vjedhjes me armë, ndodhur pas bankës, në Unazë të Re në Tiranë, kur ka marrë peng një taksist dhe ka tentuar që me forcë t’i marrë makinën. Gjithashtu, ai dyshohet për një sërë veprash të tjera penale si në Shqipëri, ashtu edhe në vende të tjera. Romeo Leka dyshohet se është personi që ka vrarë në Greqi një emigrant shqiptar nga Kukësi. Bëhet fjalë për vrasjen e Renato Krasniqit, i cili u ekzekutua në datën 9 të këtij muaji në Athinë. Familja e tij ka telefonuar dje në polici dhe ka deklaruar se kur e kanë parë në televizor, e kanë njohur se është ai autori i vrasjes së 22-vjeçarit. Krasniqi mësohet se është ekzekutuar në rrugën “Pratinu” në lagjen “Pagrati” të Athinës. Sipas policisë, trupi i 22-vjeçarit u gjet i pajetë në korridorin e pallatit ku ai banonte prej fqinjëve të tij. Policia, që mbërriti menjëherë në vendngjarje, tha se viktima kishte në trup disa plagë të shkaktuara nga një mjet prerës. Vetëm pak ditë më vonë, një shtetasi grek, i cili u vra në përplasje me armë me policinë gjatë një grabitjeje, iu gjet në xhep pasaporta e Krasniqit. Ditën e vrasjes së shtetasit grek, policia e Athinës deklaroi se bashkë me të ka qenë edhe një shqiptar.
#