Topalli merr Çmimin e Mesdheut
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, merr çmimin e Mesdheut në Kapri të Italisë. Kryeparlamentarja Topalli është gruaja e dytë në politikën botërore pas Anxhela Merkel që merr këtë çmim i akorduar nga Forumi Mesdhetar për Paqen në Kapri të Italisë.
Forumi Mesdhetar për Paqen ka përzgjedhur Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, përmes propozimit të bërë nga Senatori Sergio De Gregori, president i delegacionit parlamentar italian i Asamblesë së NATO-s. Në motivacionin e këtij çmimi theksohet se “Mesdheu paraqitet si një zonë strategjike, që lidh tregjet e Lindjes dhe ato europiane e perëndimore. Roli i tij në proceset ndërkombëtare dhe në rregullimin e marrëdhënieve politike, kulturore, ekonomike e tregtare, por edhe të njerëzve e të mallrave është gjithnjë e më thelbësor për çdo perspektivë të së ardhmes së popujve që përfshin kjo zonë”. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ulur në karrigen e kryeparlamentares që prej vitit 2005, është shprehur se “ky çmim është për vendin tim”.
Senatori De Gregori, gjatë ceremonisë së dhënies së çmimit, tha: “Në Kapri ju jeni gruaja e dytë që merrni një çmim të tillë pas Kancelares së Gjermanisë, Anxhela Merkel”.
#