E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet me arme banka dy persona marrin 300 mije leke

Tiranë

Një tjetër vjedhje me armë banke ka tronditur kryeqytetin. Ngjarja ka ndodhur pak orë dhe pak metra larg vendit, ku një person u vra mëngjesin e djeshëm pranë Rrugës së Kavajës. Dy të rinj, me kapuç dhe me pistoleta, kanë hyrë në ambientet e një banke dhe kanë vjedhur paratë. Burimet policore thanë se për këtë ngjarje u njoftuan rreth orës 12.30. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar specialistët, të cilët janë vënë në dijeni se dy persona, të veshur sportivë dhe me të zeza, me kapuç në kokë, kanë hyrë në ambientet e një filiali banke, duke kërcënuar me dy pistoleta. Një prej tyre ka mbajtur nën kontroll rojën private, ndërsa tjetri ka kapërcyer mbi banak, duke mbledhur paratë që ndodheshin aty. Punonjësja e tmerruar nuk ka lëvizur nga vendi dhe i ka lënë dy hajdutët të dalin të qetë nga banka, të cilët mendohet se pastaj janë larguar me një motor. Policia ka ngritur postblloqe të ndryshme, duke shoqëruar të rinj që përshtateshin me përshkrimin, por asnjë prej tyre nuk ka rezultuar si autor i ngjarjes. Policia tha se dy hajdutët kanë mundur të marrin 300 mijë lekë në këtë filial banke. Specialistët kanë kontrolluar kamerat e bankës, por edhe të dyqaneve pranë, me qëllim për identifikimin e autorëve, ndërkohë që vazhdon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›