E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitja e 50 milionëve tek BKT, dosja kthehet në polici

13/04/2010 Prej dy muajsh asnjë i identifikuar

TIRANE- Pamundësia për të zbardhur autorët e grabitjes së filialit të BKT-së në rrugën “Myslym Shyri”, ka bërë që Prokuroria e Tiranës ta rikthejë sërish dosjen në polici. Materiali voluminoz, ku janë administruar deklarime të personave që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes dhe punonjësve të bankës, mësohet se i është dërguar pak ditë më parë agjentëve të policisë. Burime pranë organit të akuzës thanë se këtyre të fundit, u janë lënë disa detyra, me qëllim mbledhjen e informacioneve operative në terren dhe lokalizimin e më pas gjurmimin e autorëve të dyshuar. “Për dy muaj kemi kryer hetime, por nga ky proces asnjë të dhënë s’kemi konstatuar për sa i përket identifikimit të autorëve. Nisur nga kjo situatë, dosjen ia kaluam policisë së Tiranës, me qëllim ndjekjen e çështjes në terren”,-thanë burimet pranë akuzës së kryeqytetit. Këto të fundit pranuan se përgjatë kësaj kohe kanë mbajtur nën përgjim disa persona të dyshuar si grabitës të shumës prej 50 milionë lekësh në filialin e BKT-së, por nga përgjimi i bisedave të tyre nuk është provuar që ata të kenë lidhje me ngjarjen. Fillimisht për këtë ngjarje u arrestua roja i bankës, Asllan Spahia, për të cilin policia ngriti akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, pasi në momentin kur grabitësit kryen vjedhjen, ai nuk ndodhej në shërbim, por ishte në banesën e tij. Më pas ai u lirua sërish, pasi Prokuroria konstatoi se Spahia s’kishte lidhje me këtë ngjarje. Aktualisht hetimi po kryhet nga specialistët e Krimeve të Rënda, pranë policisë së Tiranës. Deri tani asnjë person nuk është identifikuar, por burimet tregojnë se gjatë kohëve në vazhdim dosja në fjalë do të ketë edhe të pandehurit përkatës. Për hetimin e kësaj çështje policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e bankës. Ndërkohë në të njëjtën kohë hetime lidhur me ngjarjen po kryen edhe vetë shoqëria policore, që është kontraktuar nga banka BKT-së për sigurimin e ambienteve dhe personelit të saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›