E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama përgjysmon hetuesit e Task-Forcës

13/04/2010 Strukturës antikorrupsion i largohen 5 hetues. Dy prej tyre janë prokurorë

Rotacioni në Fier dhe Durrës, shkurton radhët në Tiranë

TIRANE- Trupa e prokurorëve që shërbejnë për luftimin e korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës, prej disa kohësh është përgjysmuar. Shkak i kësaj situate janë bërë lëvizjet e shumta që kanë ndodhur në organin e akuzës së Fierit dhe Durrësit, prokurori këto që kanë ndjerë ndryshmet nga niveli i drejtuesit e në sektorët përkatës. Pesë hetues të njësisë Task-Forcë janë larguar dhe aktualisht pozicioni i tyre vazhdon të mbetet bosh, duke mos u zëvendësuar nga Kryeprokurorja Ina Rama. Kjo ka sjellë një rënie të punës hetimore, pasi shumë dosje kanë mbetur pa zgjidhje duke u lënë në mëshirë të fatit. Nga pesë hetuesit e larguar, mësohet se tre janë oficerë të policisë gjyqësore dhe dy prokurorë. Këta të fundit janë Besnik Cani, i cili u komandua nga Ina Rama si drejtues i Prokurorisë së rrethit Fier, si dhe Madrit Kullolli, i cili prej dy javësh është emëruar si shefi i Task-Forcës në Prokurorinë e rrethit Durrës. Ndërkohë që dy oficerët e larguar Artur Cara dhe Afrim Shehu, morën titullin prokuror nga Presidenti Bamir Topi, ndërsa oficerja e tretë Ilda Stefa u largua, duke shkuar si punonjëse pranë ambasadës amerikane në Tiranë. Largimi dhe moszëvendësimi i tyre ka bërë që në njësinë e përbashkët hetimore të mbeten vetëm 5 prokurorë, të cilët aktualisht janë duke hetuar një sërë dosje, të lëna nga kolegët e tyre. Kjo gjë ka sjellë mbingarkesën e tyre, pasi në orarin e punës prokurorëve i duhet të ndjekin edhe seancat e ndryshme gjyqësore që kanë në gjykatën e Tiranës. Përtej këtij vakumi, Kryeprokurorja Ina Rama gjatë kësaj kohe nuk ka reaguar me qëllim plotësimin e vendeve bosh. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se numri një i akuzës shqiptare është duke u konsultuar me stafin e saj, me qëllim gjetjen e 5 emrave që do të zëvendësojnë hetuesit e larguar. Burimet s’pranuan të japin emrat konkretë, por thanë se shumë shpejt ata do jenë pjesë e njësisë hetimore Task-Forcë. Pak kohë më parë Kryeprokurorja Ina Rama zëvendësoi drejtuesin, ku në vendin e mbetur bosh të prokurorit Altin Dumani, ajo preferoi si drejtues prokurorin Dritan Rreshka.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›