Kapen me 23 doza heroinë, arrestohen 3 të rinj
Operacioni “Furtuna”, droga e kapur u shitej gjimnazistëve në Berat, dozat ishin përgatitur nga 10 gramë secila
Tre të rinj janë arrestuar nga seksioni i Antidrogës në qytetin e Beratit, ndërkohë që u janë bllokuar 23 doza heroinë. Tre personat e arrestuar akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin siguronin për të rinjtë e këtij qyteti drogë të llojit heroinë. Heroina e gjetur në banesën e njërit prej të arrestuarve ishte gati për shitje dhe secila nga dozat kishte peshën e 10 gramëve. Nga të dhënat e para të grupit hetimor, këta shtetas mbulonin merkaton e gjimnazeve në qytetin e Beratit, duke siguruar drogën në qytetet e mëdha dhe duke ua shitur gjimnazistëve të këtij qyteti. Operacioni i koduar “Furtuna” është finalizuar paraditen e djeshme me arrestimin e tre personave dhe sekuestrimin e 23 dozave heroinë, falë të dhënave të grumbulluara në rrugë operative, si dhe survejimit prej disa kohës të tre të rinjve. Burime të komisariatit të policisë Berat bëjnë të ditur se paraditen e djeshme u bë arrestimi i shtetasve Romeo Këmbaçi, 27 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Durrësit, Aurel Etemaj, 24 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Uznovë” të qytetit të Beratit, si dhe Fatjon Hodo, 25 vjeç, po banor i qytetit të Beratit. Arrestimi i tyre u bë pasi në bazë të informacioneve të marra nga seksioni i Luftës Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Beratit, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin prej disa kohësh kryenin aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike, kryesisht të llojit heroinë, në shkollat e qytetit të Beratit. Kështu, gjatë operacionit të koduar “Furtuna” u bë e mundur kapja në flagrancë e këtyre shtetasve, ndërkohë që në banesën e Aurel Etemajt në lagjen “Uznovë” u sekuestruan 23 doza heroinë, të bëra gati për shitje dhe me peshë të përgjithshme 10 gramë. Sipas burimeve të policisë, materialet e kësaj çështje iu referuan Prokurorisë së Rrethit të Beratit për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim” si dhe “përshtatje të ambienteve për përdorim droge”.
U arrestuan
Aurel Etemaj, 24 vjeç nga Berati
Romeo Këmbaçi, 27 vjeç nga Durrësi
Fatjon Hodo, 25 vjeç nga Berati