I jep fund jetës për dashurinë, vetëvaret 22-vjeçari Ramadani
SMS-ja e fundit që i dërgoi të dashurës: “Unë të dua, por familja nuk po më lë që të martohem më ty, prandaj po i jap fund jetës”
Nuk e lejoi familja të merrte vajzën që donte, vret veten në shenjë rebelimi ndaj familjes së tij. Një histori e ngjashme si ajo e Romeos dhe Zhuljetës, në ditët e sotme ka ndodhur në fshatin Piskovë të Përmetit. “Unë të dua, por familja nuk po më lë që të martohem më ty, prandaj po i jap fund jetës”, - ishte mesazhi i fundit telefonik që një i ri i ka dërguar vajzës që donte. Dhe fundi për 22-vjeçarin ka qenë mjaft tragjik. Të vdesësh për një dashuri të pamundur për t’u finalizuar në fejesë. Orgert Ramadani është gjetur i vetëvarur në një pemë, disa dhjetëra metra larg shtëpisë së tij. Ngjarja tragjike ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Piskovë të Përmetit. Burime zyrtare nga policia e Gjirokastrës, bënë të ditur se rreth orës 10:15, në komisariatin e Përmetit ka ardhur një telefonatë se në fshatin Piskovë të rrethit Përmet, në një pemë është gjetur i varur një i ri. Sipas policisë, viktima është Orgert Ramadani, 22 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Piskovë të rrethit Përmet, i cili është vetëvarur, si pasojë e gjendjes depresive që po kalonte ditët e fundit. Nga dëshmitë paraprake është mësuar se i riu ishte dashuruar me një vajzë nga rrethi i Tepelenës, por që prindërit e tij nuk donin që ky ta merrte për nuse. Pasi ka debatuar me prindërit e tij, gjatë mbrëmjes së datës 9 janar dhe paraditen e djeshme, ai është larguar duke u thënë se do vriste veten. Babai i djalit ka deklaruar se e ka ndjekur nga pas, por djali është fshehur për t’i shpëtuar ndjekjes së të atit. Më pas, Ramadani, rreth orës 10:00 të mëngjesit, pasi ka shkuar afër përroit të Koritës, disa metra mbi vreshtat e fshatit Piskovë, në një pemë (bajame), ka varur veten me një litar. Kufoma është konstatuar nga djali i xhaxhait të tij, i cili po e kërkonte së bashku me të atin e viktimës. Nga këqyrja që iu bë celularit të tij, u gjet një sms që ky ia kishte nisur vajzës që donte, ku i shkruante se do varte veten. Nga ana e policisë u morën masa duke kontaktuar me familjarët e vajzës, për të parandaluar ndonjë ngjarje të mundshme tragjike që mund të ndërmerrte vajza.