E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, komisioni gati kandidaturat për institutin

Kuvendi pritet të përzgjedhë nesër 7 anëtarët që do të jenë pjesë e institucionit të ri

Parlamenti do të vendosë nesër edhe përbërjen e shtatë anëtarëve të bordit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, pas propozimit të një liste të gjatë emrash që bëri dje mazhoranca në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Kështu, në komisionin parlamentar u propozuan edhe kandidaturat e atyre personave që do të jenë pjesë e këtij instituti, i cili pritet të hedhë dritë mbi krimet dhe viktimat e periudhës së diktaturës komuniste. Deputetja e Partisë Demokratike, Arenca Trashani, relatore e shqyrtimit të kandidaturave për anëtarë të këtij instituti, tha se anëtarët e bordit duhet të jenë personalitete të njohura nga komuniteti akademik dhe shoqëria civile, të cilët zotërojnë aftësi profesionale dhe kanë kontribut, si dhe krijojnë bindje se mund të mbështesin institutin në realizimin e misionit e të detyrave të tij. Sipas Trashanit, anëtarët e bordit zgjidhen për pesë vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Nga ana tjetër, sipas saj, mandati i anëtarit të bordit është i papajtueshëm me funksione të larta shtetërore, kushtetuese, politike, administrative, si dhe me anëtarësinë në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Po kështu, deputetja demokrate theksoi se në vijim të punës, komisioni duhet të bëjë verifikimin e përputhshmërisë ligjore të këtyre kandidaturave për dy arsye ligjore, lidhur me subjektet propozuese dhe plotësimin e kërkesave. Krijimi i këtij instituti është miratuar muaj më parë nga qeveria shqiptare, si një kërkesë e vetë përfaqësuesve të të përndjekurve politikë. Ky institut, përveç zbardhjes së disa krimeve të komunizmit, do të promovojë edhe fushata antikomuniste në vend dhe do të ndërmarrë nisma përkujtuese ndaj atyre që u prekën nga ky sistem.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›