Greqia dhe Interpoli në kërkim të ikonave shqiptare

Autoritetet greke janë përfshirë në një bashkëpunim intensiv me strukturën ndërkombëtare policore të Interpolit, pas shtimit të rasteve të grabitjeve të objekteve me vlerë historike, kulturore dhe fetare në objektet e kultit.
Në bashkëpunimin e Interpolit janë përfshirë edhe disa objekte me vlera të rralla, të grabitura në disa kisha, kryesisht në jug të Shqipërisë, të cilat kanë përfunduar në Greqi dhe më pas drejt vendeve të tjera.
Sipas shtypit lokal të Janinës, që i referohet prefektit të Janinës, Kahrimanis, autoritet greke dhe ato të Interpolit në objektet e lokalizuara jashtë Greqisë kanë gjetur edhe një ikonë, të grabitur në një kishë në Gjirokastër.
Bëhet fjalë për ikonën e Shën Mërisë, e cila i përkiste kishës së Pogonit të Gjirokastrës.
Kjo ikonë u grabit dhjetë vjet më parë dhe dyshohej se u trafikua drejt Greqisë.
Ikona konsiderohej si një nga ikonat mrekullibërëse, duke e bërë këtë kishë nga më të frekuentuarat nga besimtarët.
Shtypi grek që u referohet burimeve zyrtare të prefekturës së Janinës, flet se ikona është lokalizuar në Londër dhe po bëhen përpjekje për ta rikthyer.