Luan Rama: PS nuk mund të jetë repart dhune
Paralajmërimi i protestave nga ana e Partisë Socialiste ka përcaktuar aktivizimin e sulmeve politike nga ana e kundërshtarëve. Projektimi i tyre në sfondin e proceseve të integrimit është gjetur nga sekretari i marrëdhënieve me publikun të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, si një mënyrë për të kompromentuar moralin e lëvizjeve të fundit të opozitës. “është për të ardhur keq që në kontrast me trendin europian të zhvillimit të vendit, ndeshim në qëndrimet e papërgjegjshme e provokative të lidershipit josocialist të Partisë Socialiste”, u shpreh Rama. Nuk mund të mos bjerë në sy në këtë qëndrim një akt diversioni, që pa anashkaluar realizimin, synon të zgjojë ndasitë që karakterizojnë deri diku bazën socialiste. “Kryetari josocialist i PS-së dhe enturazhi i tij i maskave të zeza, pasi ia doli ta shndërrojë atë nga institucion të demokracisë e vlerave, pasi e rrëmbeu atë nga Parlamenti dhe e nxori në rrugë, po përpiqet së fundi ta shndërrojë edhe në një repart dhune, kërcënimi dhe antiligji”, vijoi ai. Rama u ka bërë thirrje socialistëve të vërtetë që të braktisin kursin politik të kryetarit të tyre, që, sipas tij, po e çon PS-në drejt mohimit përfundimtar të kontributit të vet 20-vjeçar; një komunikim i përdorur së fundmi edhe nga Kryeministri Sali Berisha.
#