E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruaja e diplomatit nga Kongo,kontrabandë me cigare shqiptare

14/06/2011  Oficerët në Rumani i thyejnë xhamat e makinës zonjës Bombeto, gjejnë 18.00 paketa

RUMANI- Gruaja e një diplomati nga Republika Demokratike e Kongos u arrestua dje në Rumani, pasi oficerët gjetën në makinën e saj 18.000 paketa me cigare ilegale të prodhimit shqiptar. Lajmi u bë i ditur dje nga rrjeti gjigand BBC, i cili u referohet burimeve nga prokurorët rumunë. Këta të fundit shprehen se gruaja e diplomatit afrikan u prangos me dyshimin për kontrabandën e cigareve. Policia gjeti më shumë se 18.000 paketa cigare të fshehura në makinën e saj. Kështu, Esther Pascaline Bombeto, burri i së cilës është i akredituar në Serbi, ka pohuar imunitetin diplomatik para se policia të kontrollonte me dhunë në makinën e saj. Ajo u arrestua në Rumani, ndërsa kthehej nga Serbia. BBC raporton se zyrtarët rumunë të shërbimit inteligjent dhe të antikrimit në bashkëpunim me policinë, e kishin vënë nën mbikëqyrje për muaj me radhë makinën e gruas së diplomatit. “Duke përdorur imunitetin diplomatik, kontrabanduesit kishin sjellë cigare në Rumani të paktën dy herë në javë”,-pohoi për BBC prokurori rumun i luftës kundër krimit të organizuar, Mircea Andres. Oficerët, që mbanin nën vëzhgim lëvizjet e saj, thyen dritaret e makinës së zonjës Bombeto. Duke iu referuar gjithnjë rrjetit mediatik anglez, mësohet se me të mësyrë në brendësi të makinës, oficerët gjetën aty dhe konfiskuan mbi 18 mijë paketa cigare ilegale shqiptare. Por BBC nuk specifikon se të çfarë marke ishin cigaret dhe nëse duhani ishte prodhim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë apo të zonave të tjera të banuara nga shqiptarët, por thjesht me emërtimin origjinal “the illegal Albanian-made cigarettes”. Ndërkaq, zonja Bombeto nuk pranoi të bashkëpunojë, duke pretenduar se kishte imunitet diplomatik. Së paku dy shtetas serbë u arrestuan, pasi dyshohet se janë bashkëpunëtorët e saj. Ndërkaq, policia është vënë në kërkim të shtëpive të nëntë bashkëpunëtorëve të dyshuar në Rumani. Historiku i kontrabandës së cigareve në Ballkan është i larmishëm. Jo më larg se më 13 prill të këtij viti, në vendkalimin kufitar Vatin në Serbi, u kap një maune me targa shqiptare. “Në paletat me të cilat ishte i ngarkuar kamioni gjendeshin së paku 15000 steka të cigareve të markave Veve, Marlboro dhe Manchester, me vlerë 80 000 euro”, transmetoi “FoNet”. Bashkë me sekuestrimin e sasisë rekord të cigareve, është ndaluar edhe drejtuesi shqiptar i mjetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›