Shkodër, bashkia dhe drejtoria arsimore, aksion për gjelbërimin në qytet
Qyteti më i madh i veriut të Shqipërisë ka qenë i dyti në vend për nga sipërfaqet e gjelbra përpara viteve 90 dhe rreshtohej mbas Tiranës për mirëmbajtjen dhe parqet e shumta të tij. Por në të gjitha këto vite të tranzicionit u zhdukën fillimisht shumë parqe të vogla në mjediset e shumta midis ndërtesave dhe po ashtu edhe disa parqe të mëdhenj në periferinë e tij turistike, afër liqenit.
Sot kjo sipërfaqe është më pak se gjashtë herë e jeshiltë se në vitet 1990. Por me administratën e kryebashkiakut Lorenc Luka, është bërë një punë më e mirë për gjelbërimin e qytetit dhe tashmë jo vetëm janë rikonstruktuar disa lulishte, por edhe ndërtuar të reja në zonat qytetare dhe urbane të qytetit prej 130 mijë banorësh. Këtu mund të përmenden; lulishtet e zonës së godinave universitare, në të cilën ka një mjedis të qytetëruar, lulishtet në rreth rrotullimet e reja në Shkodër, një lulishte në fillim të rrugës kur hyn për në Shkodër; gjelbërimi me pemë anash rrugëve kryesore dhe mirëmbajtja e tyre; lulishtja e re në qendër të qytetit dhe ajo te Isa Boletini, por edhe shumë pemë dekorative në të gjithë zonën urbane të Shkodrës, por sidomos edhe mirëmbajtja e tyre. Kohët e fundit, DAR- i i Shkodrës nën përkujdesjen e drejtueses së saj Atrida Ferketi ka ndërmarrë një iniciativë të re për gjelbërimin e mjediseve shkollore dhe të qytetit dhe për këtë arsye disa nxënës të shkollave 9- vjeçare Branko Kadija dhe Ismail Qemali kanë qenë në zyrën e kreut të Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka. Ky i fundit i ka pritur nxënësit që kanë përkrahur punën e mirë të bashkisë dhe kanë shtuar edhe entuziazmin e tyre për të dhuruar edhe 40 fidanë të cilët i ka bërë të mundur shkolla Kol Margjini dhe të cilat janë mbjellë në mjediset shkollore. Luka i është bashkuar iniciativës duke dhënë kështu një shembull i mirë i bashkëpunimit në drejtim të pastrimit të qytetit, gjelbërimit dhe mirëmbajtës së mjedisit qytetar në Shkodër.