E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tandem bashkëshortor ambasadorësh amerikanë në Serbi dhe Bullgari

Diplomacia

Që çiftet bashkëshortore politike të fuqishme përbëjnë një dukuri pak a shumë të zakonshme në Uashington, kjo tashmë dihet prej kohësh, pasi kryeqyteti amerikan “gëlon” nga profesionistët politikë, por rrallë herë qëllon që burrë e grua të caktohen nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së ambasadorë amerikanë në dy vende fqinje, për më tepër në të njëjtën kohë. Kështu, falë një kombinimi kuadrosh në këtë departament, bashkëshortët Meri dhe Xhejms Vorlik janë emëruar kohët e fundit përfaqësues të lartë të vendit të tyre, përkatësisht në Serbi dhe Bullgari. “është hera e parë në historinë e diplomacisë amerikane që dy bashkëshortë dërgohen në të njëjtën kohë të përfaqësojnë SHBA-në në nivelin më të lartë në dy vende fqinje”, vihet në dukje këto ditë në të përmuajshmen e njohur amerikane që u kushtohet çështjeve të politikës së jashtme të SHBA-së, “Foreign Policy”, pas miratimit të emërimit të tyre në Komitetin e Politikës së Jashtme të Senatit amerikan.
Aparati drejtues i Presidentit Barak Obama, përfshi Departamentin e Shtetit, në një numër të konsiderueshëm përbëhet nga kuadro profesionistë të Partisë së tij Demokratike, së cilës ai i përket. Por, sidoqoftë, sipas praktikës së zakonshme të përcaktuar tashmë prej kohësh, rreth 90 për qind e zyrtarëve të ministrive dhe të shërbimeve shtetërore të tjera amerikane të këtij profili janë profesionistë, vendet e punës së të cilëve nuk u nënshtrohen rokadave partiake në Shtëpinë e Bardhë. Pikërisht kësaj kategorie të fundit u përkasin Meri dhe Xhejms Vorlik, që janë diplomatë profesionistë dhe të cilët, gjatë karrierës së tyre, e kanë provuar dhe e kanë konfirmuar këtë në postet që kanë mbajtur. Znj. Meri Vorlik vjen në detyrën e ambasadores së SHBA-së në Beograd nga posti i drejtores së Drejtorisë për Rusinë në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, ndërsa më parë ka shërbyer në funksione të ndryshme të larta në ambasadat amerikane në Moskë, Bon, Bangladesh dhe Filipine. Kurse bashkëshorti i saj, Xhejms Vorlik, vjen në detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Sofje nga posti i ndihmësit të zëvendëssekretarit të Shtetit për çështjet e marrëdhënieve shumëpalëshe, ndërsa më parë ka shërbyer si këshilltar i përfaqësuesit të lartë të Xhorxh Bushit të Ri në Irak, konsull i përgjithshëm amerikan në Moskë, si dhe ka kryer detyra të ndryshme në ambasadat amerikane në Filipine dhe Bangladesh.
Në të përmuajshmen amerikane të lartpërmendur, e cila i referohet Departamentit amerikan të Shtetit lidhur me dy emërimet e mësipërme, vihet në dukje se Uashingtoni po dërgon në Serbi dhe Bullgari “dy diplomatë profesionistë me përvojë, të cilët në mënyrën më të mirë do të përfaqësojnë interesat e SHBA-së në rajonin e Ballkanit, të rëndësishëm për interesat amerikane”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›