E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guardiola: Duhet të fitojmë, Ferguson: Jemi gati

LONDËR- Pep Guardiola, trajneri i Barcelonës, ka thënë se fitorja ne finale të Ligës së Kampioneve ndaj Manchester Unitedit do të ndihmonte të ardhmen e ekipit katalanas.
“Kur stërvit një ekip si Barcelona shpenzon energji, pavarësisht nëse fiton apo jo. Fitorja të lejon të vazhdosh i qetë punën, sepse kultura latine nuk pranon humbjen. Për këtë arsye ne duhet të fitojmë finalen, përndryshe e ardhmja do të jetë e vështirë”, deklaroi Guardiola në konferencën për shtyp në prag të finales së nesërme në Wembley.
“Formacionin që do të hedh në fushë e kam vendosur. Do të mundohemi të luajmë si gjithmonë dhe shpresojmë të na ecë mbarë”, shtoi tekniku katalanas, pa zbuluar emrat e lojtarëve.
Në anën tjetër, trajneri i Manchesterit, Alex Ferguson tha se ekipi i tij vjen në këtë finale me më shumë besim dhe maturi se në vitin 2009, kur patën humbur finalen kundër Barcelonës. “Jemi të përgatitur dhe të bashkuar për këtë ndeshje. Lojtarët janë të gjithë në një formë të shkëlqyer”, u shpreh trajneri skocez.
Për Fergusonin, ndeshja e nesërme mund të quhet edhe finalja e dekadës: “Duke parë rezultatet e 10 vjetëve të fundit të të dy skuadrave, mund të quhet finalja e dekadës. Do të jetë një ndeshje me gola, lojë të bukur dhe me shumë emocion”, përfundoi Ferguson.
(e.m/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›