Gyl-Sejdiut: Do vazhdojmë mbështetjen
Presidenti turk Abdullah Gyl i ka premtuar homologut të tij kosovar Fatmir Sejdiu, i cili ndodhet për një vizitë në Ankara, mbështetjen e mëtejshme të Turqisë ndaj Kosovës. Gjatë takimit të zhvilluar, Gyl vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe, si dhe progresin e arritur nga Kosova pas shpalljes së pavarësisë.
"Popujt e dy vendeve tona janë në solidaritet të plotë me njëri-tjetrin. Ne e mbështesim Kosovën në të gjitha forumet ndërkombëtare në të cilat marrim pjesë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë përherë, duke lobuar kudo për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga sa më shumë vende", tha presidenti Gul, i cili vlerësoi se njohja e Kosovës nga 65 vende të botës, si dhe anëtarësimi i saj në institucione të ndryshme ndërkombëtare, siç janë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, është dëshmi se në Kosovë janë arritur suksese.