E Diel, 1 Nëntor 2026

Halimi: Opozita nuk ka argumente për rregulloren

Dekretet Deputeti i mazhorancës mbron votën e hapur

Në seancën plenare të ditës së enjte, më 17 qershor, mazhoranca do të votojë në Parlament edhe ndryshimet që ka bërë në rregulloren e Kuvendit, për të pasur një votim të hapur për dekretet e Presidentit. Në një prononcim për median, sekretari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Eduart Halimi, deklaroi se opozita nuk ka dhënë asnjë qëndrim logjik kundër votimit të hapur ndaj dekreteve të Presidentit. “Nuk ka asnjë arsye që deputetët në një manifestim politik që duhet të bëjnë, duhet ta fshehin votën, ta fshehin dorën e tyre. Pra, të mungojë transparenca në dhënien e votës. Nuk ka asnjë argument kundër kësaj dhe nuk është artikuluar përveçse nëpër media”, deklaroi deputeti i PD-së, Halimi. Sipas tij, gjatë mbledhjeve të këshillit nuk janë artikuluar qëndrime të ashpra kundër variantit të transparencës së votës nga ana e përfaqësuesve të opozitës. Nga ana tjetër, kundërshti në lidhje me votimin e hapur për dekretet nuk ka shfaqur as Presidenti Topi. Në një prononcim për median, kryetari i shtetit ka theksuar se nuk ka asnjë rëndësi për të nëse votimi në Parlament për dekretet presidenciale është i hapur apo i mbyllur, duke e quajtur këtë një çështje të vetë Parlamentit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›