E Diel, 1 Nëntor 2026

Harasani: LMN ka propozimet për ndryshime në statut

Qëndrimi Deputeti socialist insiston: Nëse nuk i shqyrton grupi i punës do t’i çojmë në Kongres

Lajmet rreth tërheqjes së Lëvizjes për Mendimin Ndryshe nga puna për ndryshimet në statut janë vetëm spekulime. Përfaqësuesi i saj, deputeti socialist Andis Harasani, deklaroi për gazetën “Shqip” se propozimet e sugjeruara nga ekipi i LMN-së janë dorëzuar zyrtarisht përpara disa muajve. “është tërësisht një gënjeshtër. Ne i kemi dorëzuar propozimet tona që në muajin gusht dhe presim që grupi i punës të na thërrasë për të diskutuar mbi to”, u shpreh Harasani. Ai ka përgënjeshtruar kështu lajmin e publikuar dje, sipas të cilit, drafti i ri i ndryshimeve statutore nuk do të përfshijë propozimet alternative të LMN-së, për shkak të tërheqjes së kësaj të fundit. Spekulimi mediatik i ngritur rreth kësaj çështjeje risjell në vëmendje debatin politik të brendshëm në Partinë Socialiste, duke evidentuar përmes diskutimeve me karakter teknik probleme të funksionimit të demokracisë së brendshme në selinë rozë. Më konkretisht, reagimi i Harasanit nënkupton se përpjekja për të krijuar idenë e një tërheqjeje të LMN-së synon të legalizojë draftin zyrtar të ndryshimeve në statut, pa ua nënshtruar atë sugjerimeve alternative. Për të kuptuar më mirë këtë ide që mbart në vetvete mundësi për acarime të reja mes palëve brenda PS, është me vend të kujtohet, se disa prej amendimeve të propozuara nga Lëvizja për Mendimin Ndryshe përfaqësojnë ndryshime thelbësore në raport me Statutin aktual, sidomos për sa i përket raporteve morale, politike dhe institucionale që kryetari i PS duhet të ketë me zhvillimin politik. Kështu, një prej tyre parashikon kandidimin e detyruar të kreut të partisë në zgjedhjet parlamentare, përfshi këtu detyrimin për dorëheqje dhe mosrikandidim në rast humbjeje. Mjafton vetëm kjo pikë për të vlerësuar se modifikimet teknike krijojnë hulli të reja edhe për perspektivën politike të të gjitha palëve brenda PS. Duke marrë në konsideratë lënien në heshtje nga ana e Grupit të Punës, të propozimeve të LMN, Harasani është shprehur se në çdo rast, ato do të artikulohen në institucionet e partisë dhe do të kalojnë në një votim nga ana e tyre. “Nëse propozimet tona nuk do të merren parasysh nga Grupi i Punës, natyrisht ne do t’ia paraqesim ato Kongresit”, u shpreh deputeti socialist. Nëse një gjë e tillë do të bëhet pjesë e votimit në këtë forum, atëherë pritet që oponentët e Edi Ramës në PS të kërkojnë një provë morale politike në pikën fundore të gjykimit që ka ky formacion politik, edhe pse rrëzimi eventual i tyre sipas gjasave mund të legalizojë në çdo pikëpamje paketën e Grupit të Punës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›