Limajt nuk ka nevojë t’i hiqet imuniteti

Prokuroria e Shtetit vlerëson se nuk ka bazë ligjore për të kërkuar heqjen e imunitetit për ndjekje penale për të cilën vepër, deputeti nuk gëzon imunitet.
Sqarimi i Prokurorisë vjen pas interesimit të madh të mediave se a ka kërkuar kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Limaj.
“Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës gëzojnë imunitet nga ndjekja penale vetëm për veprimet e tyre të ndërmarra në kuadër të fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre si deputet dhe nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprat e kryera para se të zgjedhën deputet apo vepra të kryera jashtë fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre si deputet. Kjo është çështje është e rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Ligjin nr. 03/L-11 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shtetit.
“Organi që zbaton procedurën penale nuk është i detyruar të vërtetojë sipas detyrës zyrtare se a gëzon një person imunitet apo jo dhe nga personi që gëzon imunitet varet se a do të thirret në imunitet”.
Më tutje në komunikatë theksohet se deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk mund të arrestohet dhe as të ndalohet, përderisa është duke kryer detyrat e deputetit, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Prandaj Prokuroria e Shtetit vlerëson se nuk ka bazë ligjore për të kërkuar heqjen e imunitetit për ndjekje penale për të cilën vepër deputeti nuk gëzon imunitet.
Çështja e kërkesës për pëlqimin e Kuvendit për arrestimin apo ndalimin e deputetit, nuk është në kuadër të fushëveprimit dhe detyrave te Kryeprokurorit të Republikës së Kosovës.