Haxhinasto vizitë dy ditore në Maqedoni

Zv.Kryeministri dhe njëkohësisht Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Maqedoni, me ftesë të Ministrit të Jashtëm maqedonas Nikolla Poposki.
Në programin e vizitës veç bisedimeve zyrtare ndërmjet dy ministrave të Punëve të Jashtme, janë parashikuar takime të Ministrit Haxhinasto edhe me Presidentin e Maqedonisë Gjeogje Ivanov, me Kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski, me Kryeministrin Nikolla Gruevski dhe me Zëvëndëskryeministren për Çështjet e Eurointegrimit, znj. Teuta Arifi.
Gjithashtu ministri Haxhinasto do të zhvillojë takime edhe me drejtuesit e partive kryesore politike shqiptare në Maqedoni.
Vizita e kryediplomatit shqiptar në Maqedoni vjen pas situatës së tensionuar mes shqiptarëve dhe maqedonasve, ku para pak ditësh u rrahën 15 nxënës në afërsi të Shkupit ndërsa tre ditë më parë u dogj edhe flamuri shqiptar.
Në një intervistë për “Ora News”, ministri Haxhinasto theksoi se këto ngjarje mbeten në kuadrin e incidenteve sporadike dhe se këto zhvillime nuk ndikojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve.