Vdes në Greqi i burgosuri shqiptar
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje paradite në burgun e sigurisë së Lartë Malandrinos, në Greqi, ku një i burgosur shqiptar, nga Vlora, ka humbur jetën pasi nuk e ka marrë ndihmën e duhur mjekësore.
Viktima është identifikuar si Dashamir Doku, i cili vuante prej pesë vitesh dënimin, kishte shfaqur shqetësime prej një muaji. Doku vuante nga zemra dhe mjekimet e duhura nuk i merrte, pasi në farmacinë e burgut nuk posedonin ilaçe. Të burgosurit janë hedhur në grevë urie, duke kërkuar të drejtat e tyre, pasi nuk është rasti i parë. Para një viti, një tjetër shqiptar i ka dhënë fund jetës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Të burgosurit kërkojnë ndihmë nga Ministria e Drejtësisë.
Të burgosurit denoncuan në media, duke informuar se katër të burgosur të tjerë i kanë dhënë fund jetës, ndërsa nga autoritetet greke nuk ka reagime. Të burgosurit kërkojnë plotësimin e kushteve më minimale të jetesës.
Autoritete të përfaqësisë shqiptare në Athinë thanë për mediat se ishte komunikuar me drejtorinë e burgut. Sipas tyre, i burgosuri punonte në kuzhinë dhe kohë më parë kishte treguar shenja sëmundje. Këto burime cituan se në orën 10:30, Dashamir Doku kishte shfaqur shqetësime në kraharor. E ndërsa ambulanca ka ardhur në orën 12:00, Doku mund të ketë vdekur gjatë rrugës ose në spital, për shkak të ndonjë infarkti. Autoritetet theksojnë se ky ishte rasti i parë që të burgosurit ankohen për kushtet më minimale, e ndërsa ka pasur raste dhe ankesa për gjykim të shkurtuar ose dënim maksimal.
Në nëntor të vitit 2008, të burgosurit në burgjet greke u ngritën në protestë kundër drejtësisë së kufizuar dhe madje kur pretendimet e tyre ranë në vesh të shurdhët, nisën edhe grevën e urisë. Ata ishin të pakënaqur me kushtet, aq sa i quanin skëterrë institucionet e ekzekutimit të veprave penale të Greqisë. Motivi i grevës së të burgosurve në burgjet e Greqisë ishte plotësimi i kërkesave të tyre. Mediat greke përmendën atëherë se disa të burgosur kishin qepur edhe gojën për të lënë të kuptohej se sa të vendosur ishin në grevën e tyre.
#