Hejg: Londra mbështet Ballkanin në BE
Qeveria e re britanike mbështet hyrjen e Turqisë dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, vinte në dukje ditët e fundit gazeta e përditshme spanjolle “Pais”, duke përmbledhur një intervistë që i dha asaj ministri i ri i Jashtëm i Britanisë, Uiliam Hejg. “Do të jetë gabim i madh nëse Turqia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk pranohen në radhët e BE-së”, theksoi shefi i ri i diplomacisë britanike që mori pjesë në një takim të zyrtarëve të lartë të BE-së dhe të Amerikës Latine që u zhvillua ditët e fundit në Madrid. Analistë politikë britanikë, nga ana e tyre, pas prezantimit nga qeveria e re e Dejvid Kameronit të politikës së jashtme britanike, vënë dukje njëzëri se, sa i përket Ballkanit, qëndrimet e Britanisë duket qartë se janë shumë të përafërta me ato të SHBA-së, se BE-ja, para së gjithash, duhet të bëhet një zonë e madhe tregtie të lirë dhe të mos shndërrohet në një strukturë ekonomike e politike të mbyllur. Sa i përket përafërsisë së qëndrimeve të politikës së jashtme amerikane dhe britanike lidhur me Ballkanin, pra se diplomacia e Hejgut do të ndjekë atë amerikane në këtë rajon, sipas analistëve, kjo duket qartë sidomos në rastin e Bosnjë-Hercegovinës, të cilën si SHBA, ashtu edhe Britania kanë bërë të qartë se duan që ajo të jetë një shtet i centralizuar unik, si kusht për anëtarësimin e këtij vendi në BE dhe NATO.
Në qarqet politike të Londrës ditët e fundit madje vihet në dukje se shefi i ri i diplomacisë britanike ka në plan të emërojë një përfaqësues të posaçëm për Bosnjën dhe si kandidatë jozyrtarë përmenden ish i dërguari special i BE-së për Bosnjën, Pedi Eshdaun, dhe sidomos këshilltari i Kameronit, Kris Paten, ish-komisioner në Komisionin Europian. Gazeta e përditshme britanike “Gardian”, nga ana e saj, në një shkrim të saj të fundit, interesimin e qeverisë së re britanike për situatën në B-H e lidh edhe me marrëdhëniet e ngushta mes figurës së njohur e me influencë të madhe në jetën politike në Britani, njëkohësisht një nga mbështetësit kryesorë financiarë të Partisë Konservatore, lordit Eshkroft, një nga përkrahësit kryesorë të një Bosnje europiane dhe vetë shefit të diplomacisë britanike Hejg, për sa flet edhe vizita e tyre e përbashkët e planifikuar në Sarajevë. Edhe vetë Dejvid Kameroni, para fitores së Partisë Konservatore së tij në zgjedhjet parlamentare të fundit në Britani, gjatë një vizite në SHBA, deklaroi se dy milionë boshnjakët e konsiderojnë Amerikën si shpëtimtare dhe këtë fakt propaganda e Al-Kaedës përpiqet ta anashkalojë. “Nuk duam një ‘bantustan’ në Europë, nuk duam një Gaza të re”, vuri në dukje Kameroni, duke lënë të kuptohet qartë se shpërbërja eventuale e Bosnjë e Hercegovinës do të çonte në krijimin e një shteti mysliman në Europë, ndërkohë që Ballkani, sipas tij, ka një rëndësi kyçe për sigurinë e Britanisë.