E Diel, 1 Nëntor 2026

Helikopterët, Imami pranon se tenderi u zhvillua i kufizuar

Kuvendi
Kalon në Komisionin e Sigurisë kontrata për blerjen e pesë pajisjeve luftarake nga “Eurokopter”

Pesë helikopterët e rinj për Forcat e Armatosura Shqiptare nuk do të blihen përnjëherësh nga Franca dhe jo në një vit, por ky operacion do të zgjatet edhe tej mandatit të qeverisë aktuale. Ka qenë vetë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë theksoi se helikopteri i parë do të blihet vitin e ardhshëm, ndërsa i fundit në fund të vitit 2013, konkretisht pas zgjedhjeve të rregullta të qershorit. Imami deklaroi gjithashtu se qeveria ka zhvilluar një tender të kufizuar për blerjen e helikopterëve, pasi kërkoheshin pajisje që plotësonin kushtet operacionale. Komisioni i Sigurisë ka kaluar draftin që legjitimon kontratën prej 70 milionë eurosh ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kompanisë franceze, “Eurokopter”, për blerjen e pesë helikopterëve ushtarakë shumërolësh: ndër të cilët dy janë luftarakë, pra që transportojnë kompani ushtarake dhe janë të pajisura me mitraloza dhe raketahedhëse, dy janë mjekësorë, për që njëkohësisht kryejnë edhe misione luftimi kryesisht mbrojtës, ndërsa i pesti është për transportim VIP por që gjithashtu është luftarak i pajisur me mitraloza dhe raketahedhës me rreze lazer. Helikopterët e rinj janë të tipit Cougar-AS532 të versionit ushtarak, të familjes SuperPuma. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, deklaroi dje se procedura për blerjen e helikopterëve u shty për shkak se firmat fituese të kualifikuara kërkuan më shumë kohë. Koloneli Baki Bala, shefi i Shtabit të Forcës së Bashkuar në Ushtrinë Shqiptare, deklaroi se në përzgjedhjen e helikopterëve është marrë dhe pëlqimi i NATO-s, për shkak se edhe arsyeja e blerjes së këtyre helikopterëve është marrja pjesë në operacionet e Aleancës së Atlantikut të Veriut me 2 helikopterë në misionet pas vitit 2018. Kontrata e qeverisë shqiptare për blerjen e pesë helikopterëve ushtarakë të konsorciumit franko-gjerman “Eurocopter”, me një vlerë prej 78.633.288 eurosh do të ratifikohet nga Parlamenti shqiptar. Qeveria i ka kërkuar Kuvendit, që një kontratë të tillë në formën e projektligjit ta miratojë me procedurë të përshpejtuar. Sipas relacionit, Ministria e Mbrojtjes disponon fondin financiar të nevojshëm për të planifikuar, si paradhënie për fillimin e punës nga “Eurocopter”. çmimi i pesë helikopterëve shkon në 69.742,814 euro, ndërsa pjesa tjetër e shumës që mbetet nga totali, 8.890.474 do të përdoret për blerjen e kompletit të pajimeve, pjesëve të këmbimit, si dhe për trajnimet e pilotëve dhe teknikëve. Sipas kontratës, pagesa e shtetit shqiptar kundrejt firmës do të realizohet me këste brenda një periudhe kohore që zgjat deri në 2013. Aktualisht Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë një inventar të varfër, me disa helikopterë të prodhuar mes viteve ‘65-‘75, me një motor dhe me kapacitete të vogla teknike dhe operacionale.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›