Qeveria nis rishikimin e paktit të ujërave me Greqinë
Imami
Qeveria bëri të ditur se ka nisur rishikimin e marrëveshjes së ujërave me Greqinë, pas rrëzimit të paktit ekzistues nga Gjykata Kushtetuese, javën e shkuar. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, pas daljes nga takimi i Komisionit Parlamentar të Sigurisë. Imami tha se së shpejti do të ngrihet dhe një grup i ri negociator për koordinatat e reja me shtetin helen. “Do të shohim çfarë është pjesë formale dhe çfarë nuk është pjesë formale dhe pastaj mbi bazën e detyrave që do të ngrihen për një grup të ri apo për çfarëdolloj rinegocimi ne do të mundohemi të plotësojmë detyrat tona”, tha Imami. Ndërkaq ministri ka mbajtur qëndrim të ashpër për rrëzimin e ligjit të dosjeve. “Janë dy çështje qartësisht të dallueshme. çështja e lustracionit është një çështje me karakter të theksuar politik, për të cilën mazhoranca ka pasur një angazhim serioz dhe të plotë dhe për të cilin ka bindjen e saj dhe do të luftojë. Kurse për një marrëveshje ndërkombëtare, qeveria është një aktor ashtu sikurse janë aktorë Presidenti, Parlamenti, Gjykata Kushtetuese dhe në këtë rast kur flet gjykata, të tjerët heshtin” tha Imami.
#