E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim i posaçëm për kafenë kontrabandë në Kapshticë

Kontrabanda e kafesë së kapur në pikën kufitare të Kapshticës gjatë të shtunës, është  përfshirë nga një hetim i posaçëm. Sasia e pazakontë e kafesë që ka hyrë në mënyrë klandestine e fshehur në dyshemenë e dyfishtë  të një mauneje me rimorkio ka vënë në pranga drejtuesin e mjetit, ndërkohë që është shpallur në kërkim pronari i firmës për llogari të të cilës ka hyrë kafeja kontrabandë. Sipas burimeve të mirëinformuara pranë grupit të hetimit, mësohet se Apostol Hali nga Korça është tashmë i shpallur në kërkim pas një mandat-arresti të lëshuar nga organi i akuzës në Korçë. Dyshohet që Hali, banor i qytetit të Korçës, bashkëpunonte edhe me persona të tjerë ndërsa mendohet që ai të ketë hyrë në Greqi fill pasi ka mësuar se malli që ai sillte drejt Shqipërisë është kapur në Kapshticë. Madje rrjeti i kontrabandës së kafesë sipas të njëjtit burim mendohet të jetë i gjerë, ndërsa pritet që dhe ndalimet të jenë të shumta. Sokol Vukatana, 41- vjeçar, banor i qytetit të Korçës është arrestuar në kushtet e flagrancës ndërsa drejtonte maunen me targë KO 7078 B me rimorkio, në të cilën janë gjetur plot 27 ton kafe kontrabandë. Vukatana, gjatë deponimeve të tij në polici ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për shtresën e dyfishtë të dyshemesë së mjetit dhe aq më tepër për ngarkesën, e cila sipas policisë është sistemuar në portin grek të Selanikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›