E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi ndaj Limajt, Kuqi: Drejtësia të mos ndërhyjë në politikë

Drejtësia nuk duhet të ndërhyjë në politikë dhe as politika nuk duhet të pengojë punën e drejtësisë. Kështu u shpreh zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, rreth hetimeve që EULEX-i po zhvillon ndaj Ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, duke shtuar se Qeveria e Kosovës kërkon vetëm respektimin e raporteve midis institucioneve, ashtu siç ndodh në një shtet të vërtetë demokratik.

“As drejtësia nuk duhet të ndikojë në politikë, e as politika në drejtësi. Kjo është rruga më e mirë për një shtet demokratik…Por mendojnë se hetimet, veprimet që shkojnë mbi bazën legale nuk duhet të kenë qasje politike, sikur e kundërta politika nuk duhet të pengojë apo ndërprejë rrugët legale. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa ajo që bëhet në një shtet demokratik” tha Kuqi.

Zv/kryeministri Kuqi tha se Qeveria e Kosovës nuk ka informacione se EULEX-i po zhvillon hetime edhe për gjashtë zyrtarë të tjerë të lartë.

“Qeveria e Kosovës që nga dita e parë, e keni parë edhe deklarimin e ministrit Limaj ka dhënë mbështetje të plotë për vendosjen e rendit dhe drejtësisë, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë dhe kemi dhënë mbështetje të plotë ndarjes së sistemeve, atij legjislativ, gjyqësor dhe ekzekutiv mbi bazën e kësaj po punojmë” tha Kuqi.

Ndërkaq kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës të dalë nga koaliconi me PDK-në, pasi sipas tij, LDK-ja nuk duhet të vazhdojë të jetë pjestare e një qeverisjeje të keqe dhe të komprometuar, siç është qeverisja aktuale.

Ndërkohë Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike i ka dhënë mbështetje qeverisë së Kosovës dhe Ministrit Fatmir Limaj, për të cilin ka shprehur bindjen në pafajesinë e tij.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›