E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, PD dhe PS përplasen në Kuvend

Socialistët: Qytetarët s’po marrin dot pronat, se ligjet ndryshohen shpesh. Demokratët: Ligji përcakton kriteret dhe procedurat

“Kemi të bëjmë me një ligj totalisht antikushtetues dhe
jo në shkelje të hapur të Kushtetutës, por edhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese me numër 27 të këtij viti”. Ky ka qenë denoncimi që Partia Socialiste u ka bërë dje në Komisionin e Ligjeve demokratëve dhe veçanërisht relatorit të projektligjit për pronat, deputetit Enkelejd Alibeaj. Ndryshimi edhe një herë i ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave ka shkaktuar ilaritet në sallën e Kryesisë së Kuvendit, ku u zhvilluan punimet e Komisionit të Ligjeve. Socialistët paralajmëruan se Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë sërish këtë ligj të mazhorancës.

Socialistët

“është për të nxitur pasigurinë e qytetarëve për pronat e tyre. Asnjëherë qytetarët nuk po i marrin dot pronat, se ligjet ndryshohen. çdo vit ndryshohen. Të vështirë e kanë edhe organet që duhet të përshtaten. Veç kësaj është edhe grabitja e pronave, një nxitës i korrupsionit, sepse unë e kuptoj se ky është konflikt gjyqësor”, u shpreh deputetja Shegushe Ligori. Deputeti Saimir Tahiri kërkoi nga kryetari i komisionit, Ilir Rusmali, arsyet pse ky projektligj nuk është përfshirë në rendin e ditës. Tahiri theksoi gjithashtu se projektligji është kthyer njëherë nga Gjykata Kushtetuese dhe sërish mazhoranca po tenton t’i kundërvihet kësaj gjykate.

Demokratët

Deputeti Enkelejd Alibeaj vlerësoi se procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave paraqet rëndësi madhore në kuadër të reformës pronësore, si dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Alibeaj tha se ndryshimet e propozuara synojnë përcaktimin e kritereve dhe procedurave për rishikimin e vendimeve që kanë marrë formë të prerë nga ish-zyrat rajonale të AKKP në qark, të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe ish-komisioneve të rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave të ish-pronarëve. Në draftin e rinovuar janë bërë ndryshimet lidhur me rishikimin e vendimeve, afatin e paraqitjes së kërkesës dhe procedurën e verifikimit paraprak. Sipas propozimeve të bëra, kërkesat për rishikim mund të paraqiten vetëm kundër vendimeve të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qark, të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe ish-komisioneve të rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave të ish-pronarëve, të cilat nuk janë duke u shqyrtuar në themel në gjykatë apo për të cilat gjykata nuk ka dhënë vendim themeli të formës së prerë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›