Morën pjesë në protestën e PS, arrestohen 20 shkodranë
Policia e Shkodrës ka arrestuar dje paradite 20 persona, të cilët akuzohen për kundërshtim të forcave të rendit gjatë mitingut të madh të opozitës më 14 maj në Tiranë. Partia
Socialiste e Shkodrës në një komunikim me mediat ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të fundit të bëra nga policia e Shkodrës, e cila për llogari të Drejtorisë së Policisë së Tiranës u vuri prangat anëtarëve dhe simpatizantëve të PS-së. Sipas drejtueses së PS në Shkodër, Keti Bazhdari, gjatë këtyre tri javëve të protestave janë arrestuar 50 aktivistë të Partisë Socialiste në rrethin e Shkodrës. Duke folur për mediat, Keti Bazhdari tha se “është e shëmtuar që Policia e Shtetit po kryen reprezalje në drejtim të qytetarëve të lirë të këtij vendi. Në radhë të parë, këto arrestime janë të paligjshme, sepse policia nuk ka të drejtë të shoqërojë individë pa asnjë lloj mandati, e aq më tepër t’u bëjë presion duke i dërguar në Komisariatin e Policisë së Tiranës, që është jashtë juridiksonit territorial të Policisë së Shkodrës. Drejtuesja e PS-së së Shkodrës, Keti Bazhdrai, tha gjithashtu se ka informacione se arrestimet me sfond politik do të vazhdojnë. Dega e PS-së së Shkodrës bëri të ditur edhe emrat e disa prej personave të arrestuar, që janë: Dedë Kodra, Lazër Pema, Alban Zefi, Arlind Haxhia, Ardjan Kiri, Gjin Marku, Prek Ndoci e Alban Gjeloshi.