E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hija e Murinjos mbi Vilas-Boas

Pas lajmeve se Zhoze Murinjo po kërkon të blejë shtëpi në Londër, duke treguar se mund të jetë drejt rikthimit te Çelsi, ka reaguar edhe Andre Vilas-Boas, i interesuari direkt në këtë çështje. Duke komentuar spekulimet rreth se ardhmes së tij, trajneri i bluve, ka deklaruar se hija e Murinjos mbi mbi shumë klube botërore.
Vilas-Boas, që ka punuar si asistent i “Special One”, madje edhe në “Stemford Brixh” rrezikon shkarkimin nga pronari i skuadrës, Roman Abramoviç, prej ecurisë së dobët të skuadrës. Aktualisht Çelsi renditet i pesti në kampionat, ndërsa rrezikon eliminimin nga Champions League.
“Skuadra e vetme ku trajneri nuk përflitet se do të zëvendësohet nga Murinjo është Barcelona. Hija e tij bie kudo tjetër, në çdo klub në botë, edhe mbi trajnerët më të mirë. Nëse mund të këmbesh një trajner të suksesshëm për trajnerin më të mirë në botë, atëherë të gjithë do ta pranonin këtë mundësi. Mendoj se është normale që Zhoze përflitet te Çelsi, për historinë që ai ka lënë në këtë klub. Pjesa më e suksesshme e historisë së skuadrës lidhet pikërisht me Murinjon”.
Gjatë javës së kaluar, Vilas-Boas deklaroi në një intervistë për radion portugeze, “TSF” se nuk ishte i sigurt nëse kishte mbështetjen e milionerit rus, Roman Abramoviç, ndërsa tekniku është sulmuar edhe nga “senatori” Frenk Lampard.
Mesfushori ka thënë se marrëdhënia me drejtuesin e stolit nuk ishte ideale. Pakënaqësia lidhet me faktin se Vilas-Boas e ka lënë lojtarin disa herë jashtë formacionit titullar gjatë këtij sezoni, megjithatë trajneri theksoi se ndërmjet tij dhe Lampard nuk ekziston asnjë problem.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›