E Diel, 1 Nëntor 2026

Te dielen mbahen zgjedhjet presidenciale ne Rusi

Mbahen të dielën zgjedhjet presidenciale në Rusi, edhe pse me kundërshtimin e mijëra rusëve, rruga e kryeministrit të vendit Vladimir Putin drejt presidencës është pothuajse e sigurtë. Citojnë kështu mediat vendase, të cilat kanë marrë shkas nga sondazhet e fundit të zhvilluara në vend. Me 5 kandidatë në garë përfshirë këtu dhe udhëheqësin e Partisë Komuniste, Genadi Zuganov dhe biznesmenin miliarder Sergei Prokorov, Putin është fitues me përqindjen më të madhe të pëlqimeve. Zgjedhjet e katër marsit, nëse del fitues do t’i mundësojne Putinit mandatin e tretë në krye të Kremlinit, pas atij të vitit 2000-08. Zgjedhjet presidenciale mbahen disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare, të cilat sollën dhe protestat më të mëdha, që vendi ka pare ndonjëherë. Më herët Putin u shpreh se protestat që filluan pas raporteve për manipulime në zgjedhjet parlamentare në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kanë ndikuar "në reagimin aktiv" në ndjenjat dhe pritjet e njerëzve. Sipas tij, protestat ishin "një eksperiencë shumë e mirë për Rusinë".
Megjithatë, Putin ka refuzuar kërkesat e opozitës për përsëritje të zgjedhjeve të dhjetorit, në të cilat partia e tij e ka ruajtur shumicën në Dumën Shtetërore. Ai, gjithashtu, ka përsëritur qëndrimin se pas fitores së pritur në zgjedhje, në postin e kryeministrit do të nominojë presidentin në largim, Dmitri Medvedev.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›