E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e kinemave të kryeqytetit në një libër

TIRANË- Një udhëtim kronologji nga kinemaja e parë në kryeqytet e vitit 1926 e deri tek kinematë e fundit, ka sjellë me librin e tij të ri “Arti i shtatë në Tiranë” autori Spiro Mëhilli.

Libri i autorit, bir dhe nip i tre vëllezërve që u morën për vite me kinemanë, u promovua sot në Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit si një botim i këtij insitucioni, sipas të cilit, ai është një guidë e munguar dhe e domosdoshme mbi kinematë dhe filmat që janë shfaqur në Tiranë.
Spiro Mëhilli e ndjeu si një detyrim moral ta shkruante këtë libër për të cilin është mbështetur në kujtimet e babait dhe xhaxhallarëve të tij. “Për më tepër që im atë dhe dy xhaxhallarët e mi, kush më shumë e kush më pak, kanë qenë të lidhur me mrekullinë e artit të shtatë”, shprehet ai.

“Arti i shtatë në Tiranë” është historia afro një shekullore e këtij arti që daton thuajse me jetën e vetë Tiranës si kryeqytet dhe që pasqyron filmin dhe kinematë e kryeqytetit duke filluar nga viti 1920 e deri në ditët e sotme.

I bazuar në dokumente, në burime arkivore dhe nga shtypi i kohes, ky libër është një udhëtim që daton nga kinemaja e parë “Nacional” dhe deri tek kinemaja e Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit. Një ndihmë të madhe autorit i kanë dhënë gjithashtu dokumentat, fotografitë dhe të dhënat gojore të disa prej fëmijëve të ish- pronarëve të kinemave të para në Tiranë. Pas prezantimit të librit në ekranin e kinemasë së Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit u shfaqën materiale arkivore të Tiranës së vjetër.

Për të gjithë kryeqytetasit e vjetër emrat e kinemave si, “Nacional”, “Gloria”, “Imperial”, “Republika” janë emra që i lidhin me kujtimet e një kohe kur kinemaja ishte argëtimi i vetëm. Ky libër i Spiro Mëhillit vjen pas një sërë librash artistikë si dhe një studimi mbi Tiranën.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›