E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holanda ratifikon protokollin me Shqipërinë

18/02/2009  Anëtarësimi në NATO

Senati i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta ratifikoi dje protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Ministria e Jashtme, duke përshëndetur këtë vendim përmes një deklarate për shtyp, u shpreh se vendimi i Dhomës së Përfaqësueseve dhe i Senatit holandez bëjnë që Holanda të jetë vendi i 25-të nga 26 vendet anëtare që ratifikojnë protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë. “Vendimi i sotëm i Senatit holandez është shprehje e mbështetjes dhe besimit të këtij vendi anëtar të Aleancës ndaj Shqipërisë, vlerësim ndaj reformave të thella të ndërmarra vitet e fundit në vend dhe kapaciteteve të vendit tonë për të kontribuar në sigurinë e kolektive”, - thuhet në deklaratën e MPJ-së. Ndërkohë Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli përmes një letre drejtuar Presidentes së Senatit holandez Yvonne E.M.A. Timmerman-Buck e falënderoi atë për impenjimin e saj personal, për përfshirjen në axhendën e Senatit dhe aprovimin e këtij protokolli brenda një kohe të shkurtër.

Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për senatorët holandezë, për mbështetjen dhe besimin e tyre ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për të merituar anëtarësimin në NATO. Pas Holandës pritet edhe Parlamenti grek që të përmbyllë këtë proces ratifikimesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›