E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria kontribut për njohjen

18/02/2009  Ministri i Jashtëm Lulëzim Basha flet në njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës

Për shefin e diplomacisë vendet e rajonit që ende nuk e kanë njohur, do të binden shumë shpejt

Ministri i Punëve të Jashtme Lulëzim Basha ka vlerësuar maksimalisht angazhimet e politikës dhe institucioneve të Kosovës gjatë vitit të parë të pavarësisë. Shefi i diplomacisë shqiptare ka theksuar se vendi ynë ka qenë tepër aktiv për të mundësuar njohjen e shtetit më të ri në botë nga sa më shumë vende. Ministri Basha e ka vënë theksin në rolin që ka luajtur Shqipëria në çështjet e sigurisë, pasi përmes pavarësisë së Kosovës rajoni përjeton paqe dhe stabilitet. Ai është ndalur në faktin se anëtarësimi me të drejta të plota i vendin tonë në NATO vjen si një ogur i mirë. “Shqipëria në këtë kuadër ka dhënë dhe do të vazhdojë të jetë në gjendje të japë një kontribut cilësor sa u përket aspekteve të sigurisë në Kosovë dhe në veçanti sa u përket forcave të sigurisë së Kosovës, ku NATO-ja ka luajtur një rol vendimtar në parapërgatitjen e terrenit të funksionimit të këtyre forcave dhe do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm, ndërkohë që këto forca konsolidohen dhe vazhdojnë të marrin përgjegjësitë e tyre në raport me sigurinë e Kosovës”, - ka deklaruar ministri i Jashtëm në një intervistë televizive. Ai ka deklaruar se bilanci i diplomacisë shqiptare gjatë këtij viti të parë të pavarësisë së Kosovës është tepër pozitiv. Sipas tij, njohja e shtetit më të ri për politikën e jashtme shqiptare është parësore, shumë pozitive dhe në bazë të llogaritjeve për çdo javë të këtij viti Kosova është njohur nga një shtet, çka është shumë pozitiv në raport me njohjen që kanë pasur shtete të tjera në të njëjtën situatë. Ministri Basha ka theksuar se edhe ato vende të rajonit që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës shumë shpejt do të binden dhe do ta hedhin një hap të tillë. Ai solli si shembull faktin se nga 6 ish-republikat e Jugosllavisë, 4 prej tyre e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur dhe vetëm Serbia e Bosnjë-Hercegovina jo. Për Bashën ky është një proces që nuk mund të shmanget. Sipas tij, ofensiva e Serbisë për të penguar njohjen ka mbetur në baltë, pasi strategjia që përdoret ka dështuar. Për sa i përket Greqisë, ai ka deklaruar se shteti helen ka bërë të qartë se po studion situatën. Por njohja e pasaportave dhe hapja e një zyre në Prishtinë nga Athina zyrtare për ministrin Basha janë shenja të qarta se nuk flitet për “nëse do të njihet, po kur Greqia do ta njohë” dhe se “kjo do të jetë pjesë e axhendës së politikës greke në muajt në vijim”. Ministri i Jashtëm ka deklaruar se diplomacia shqiptare, në bashkërendim me atë kosovare, ka arritur të prezantojë argumente bindëse se Kosova përbën një rast unik dhe i shërben tërësisht paqes dhe stabilitetit në rajon. Ai ka deklaruar se viti i dytë i pavarësisë së Kosovës do të karakterizohet nga njohjet e vendeve të tjetra të rëndësishme, përfshirë edhe ato arabe.

Kreu i diplomacisë shqiptare ka deklaruar se Shqipëria dhe Kosova kanë bashkëpunuar edhe para shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. Sipas tij, bashkëpunimet kanë qenë të frytshme në infrastrukturë, studimin e projekteve të mëdha të përbashkëta, shkëmbimin e përvojës së bizneseve për të krijuar një treg të përbashkët, si dhe janë nënshkruar shumë marrëveshje për uljen e barrierave administrative. Ministri Basha ka deklaruar se politika dhe institucionet e Kosovës kanë mundur të kapërcejnë sfida në saje të një vizioni largpamës, të një përkushtimi të mbështetur nga vullneti i të gjithë qytetarëve të Kosovës. “Kanë mundur të mos bien preh e provokimeve për të parë përtej mocioneve të çastit, të cilat kanë udhëhequr provokatorët, shpeshherë me mbështetje edhe nga Beogradi zyrtar apo jozyrtar dhe për t’i treguar botës se kemi të bëjmë me një shtet institucionet e të cilit kanë pjekurinë e nevojshme e të domosdoshme për të qenë pjesë e denjë e realitetit politik rajonal”, - theksoi ai. Për kreun e diplomacisë shqiptare sfidat kryesore të Kosovës lidhen me integrimin e plotë të minoritetit serb, zhvillimin e brendshëm të ekonomisë, si dhe ndërmarrja e reformave për të kapur standardet e nevojshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›