E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhen oborret në përdorim

17/02/2009  Berisha: Do të hapen kreditë për lirimin e banesave të ish pronarëve, përfitojnë 3 mijë të pastrehë

Ligj i posaçëm për sipërfaqet mbi të cilat është ndërtuar objekti para vitit 1991

Brenda muajit qershor pritet zgjidhja përfundimtare e lirimit të banesave të ish-pronarëve, në të cilat banojnë familje të tjera me qira. Ndërkohë bëhet e ditur se dhe për oborret në përdorim do të paraqitet një ligj përfundimtar.

Oborret në përdorim

Familjet që kanë ndërtuar banesat e tyre gjatë periudhës së diktaturës nuk e kanë mundësinë e hipotekimit të saj, për shkak se tokën e kanë në përdorim, pasi në atë periudhë trualli ishte shtetëror, ndaj dhe pa një ligj përfundimtar nuk është e mundur hipotekimi i këtyre sipërfaqeve. Numri një i ekzekutivit informoi se në ditët e ardhshme do të kalojë në Parlament ligji për trojet në përdorim. “Janë me mijëra e mijëra familje autoktone të qyteteve, që për babëzinë e diktaturës dhe për paranojën e saj që çdo gjë të ishte shtetërore, trojet dhe oborret e shtëpisë ua kishte përcaktuar në përdorim. Tani ato do të kalojnë të gjitha në pronësi, ashtu siç u takon”, - u shpreh Berisha. Faktikisht deri në dhjetor të vitit të shkuar u pranuan kërkesa sipas një vendimi të posaçëm për njohjen e këtyre sipërfaqeve. Por çmimi i vendosur dhe procedurat e kërkuara u cilësua e paqartë, ndaj u pranuan shumë pak kërkesa, duke e bërë të detyrueshëm paraqitjen e një drafti të ri.

Banesat

Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike tha se qeveria po përgatitet të zbatojë një nga zotimet e saj për dhënie kredie 3000 familjeve që ndodhen në shtëpitë e ish-pronarëve. Në këtë mënyrë, do të zbatohet ligji dhe këto familje do të marrin shtëpitë me kredi, ndërkohë që do të lirohen shtëpitë e ish-pronarëve. Kryeministri tha se ky zotim elektoral është tashmë i realizuar, pasi janë marrë të gjitha masat, dokumentacioni përkatës tashmë është gati dhe zbatimi i tij do të fillojë sa më shpejt. Burimet kanë bërë të ditur se kreditë do të jenë me përqindje të ulëta, duke u përshtatur me ligjin e vitit 1993 për privatizimin e banesave. Ndërsa dhe ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave parashikon dhënien e mundësisë për këta familjarë që të kenë një objekt me sipërfaqe të njëjtë ku banojnë. Ndërsa Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që për këto familje të respektohet ligji i vitit 1993 për privatizimin e objekteve shtetërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›