PS: Hapat për të zgjidhur krizën
Rama memorandum Topit, Berishës e ambasadorëve: Hetim të pakushtëzuar të zgjedhjeve
Partia Socialiste jep opsionin e saj të zgjidhjes së krizës. Përmes një memorandumi që i është dërguar dje Presidentit Bamir Topi, Kryeministrit Sali Berisha dhe ambasadorëve Montobio, Uithers dhe Lohan, PS sqaron se cilat janë hapat që duhen hedhur për të tejkaluar krizën, ndërsa sqaron nga pikëpamja politike qëndrimin e saj të muajve të fundit. Nga fillimi deri në fund, theksohet qartë, argumentohet e analizohet, se hapi që duhet hedhur është ai i hetimit parlamentar të plotë dhe të pakushtëzuar, duke përcaktuar më tej edhe objektin nga ana juridike e hetimit të zgjedhjeve. “Theksojmë se Partia Socialiste e pret me padurim lejimin e një hetimi të plotë e të
pakushtëzuar parlamentar të zgjedhjeve të shkuara për t'u kthyer një orë e më parë në Kuvend, ku jemi të gatshëm të bëjmë transparencën e domosdoshme për të garantuar integritetin e zgjedhjeve të ardhshme. Fillimisht qeveria duhet të manifestojë pa humbur kohë gatishmërinë e saj publike për të garantuar një hetim parlamentar të plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve
të 28 qershorit 2009 dhe nga ana tjetër opozita parlamentare duhet të reagojë menjëherë më pas me deklarimin publik të përfundimit të bojkotit e kthimin në Kuvend”, thuhet në fillim të këtij memorandumi. PS sqaron se Komisioni Hetimor Parlamentar i kërkuar ligjërisht nga opozita nuk ka për qëllim të
hetimit të saj të rishqyrtojë vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe as të vlerësojë, komentojë apo hetojë se si gjykata ka arritur në atë përfundim, ndërsa nënvizohet se objekti i shqyrtimit gjyqësor të Kolegjit Zgjedhor ka qenë krejt i ndryshëm nga objekti i hetimit të Kuvendit të kërkuar ligjërisht prej nesh.
“Përmbajtja e objektit të hetimit parlamentar që duam të kryejmë ka lidhje me çështje të tilla si mungesa e zbatimit të ligjit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave, procesin e parregullt të votimit në qendrat e votimit, mangësitë e konstatuara në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave, përdorimin e aseteve publike dhe administratës shtetërore në favor të një subjekti zgjedhor, presionin për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratë publike, lejet e përkohshme gjatë fushatës elektorale për personat e dënuar për vepra penale.
Objekti i hetimit parlamentar të kërkuar nga opozita është në përputhje me parimet kushtetuese të mishëruara edhe në praktikën e Gjykatës Kushtetuese mbi ngritjen dhe veprimtarinë e Komisioneve Hetimore Parlamentare”, sqarohet në memorandum. Por njëkohësisht, PS arsyeton qëndrimin e saj të deritanishëm duke bërë me dije se është kriza ajo që solli bojkotin.
“është me rëndësi të theksohet fakti se nuk është bojkoti që ka shkaktuar krizën, por është kriza që ka provokuar bojkotin, nënvizohet në faqet e këtij memorandumi, pasi rrënjët e kësaj krize nuk qëndrojnë te mospjesëmarrja e opozitës në Kuvend, por te deformimi i vullnetit të zgjedhësve dhe shkelja e garancive ligjore gjatë procesit zgjedhor”. Më tej sqarohet se Partia Socialiste nuk e ka bojkotuar Kuvendin, sepse nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve apo se pretendon ta përmbysë atë në rrugën e protestës. “Kjo ka ndodhur vetëm sepse nuk janë marrë parasysh të drejtat e saj kushtetuese e ligjore, të bëra publike në formën e disa kërkesave kushtëzuese për marrëdhëniet e opozitës me Parlamentin”, thuhet ndër të tjera.
#