E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë Tereza, ekzaminime 24 orë

Një pjesë e laboratorit dhe imazherisë do të ofrojnë shërbim me tre turne

Rrallëherë ndodh që mjekët apo punonjësit e shëndetësisë të qëndrojnë në punë pas tetë orëve. Ndërkohë që shërbime të caktuara qëndrojnë në punë vetëm në orare të caktuara, në spital, qendra shëndetësore apo poliklinika. është parë e arsyeshme në fund të vitit 2009 dhe është vendosur në zbatim këtë vit, një urdhër i kohëve të fundit i drejtorisë së spitalit “Nënë Tereza” u bën me dije punonjësve të kësaj qendre, që do të bëhet organizimi i disa pavijoneve, në mënyrë që për pacientët të jepen shërbime të caktuara në çdo kohë, me tre turne, plot 24 orë. Kjo do të thotë që për të mos pritur të nesërmen, apo të pasnesërmen, pacientët e rregullt, që do të qëndrojnë në spital për një trajtim më të specializuar do ta kryejnë ekzaminimin menjëherë dhe nuk do të presin edhe sikur të ketë përfunduar orari zyrtar në punë. “Në bazë të këtij urdhri, për përmirësimin e shërbimit të urgjencës është garantuar shërbim 24 orësh i laboratorit të analizave dhe imazheria konvencionale”, theksohet në urdhrin e QSUT-së. Ekzaminimi dhe analizat do të bëhen ditën kur kërkohet nga mjeku përgjegjës, dhe nuk do të pritet më që të vijë mëngjesi apo të zbardhi e hëna pas fundjavës me dy ditë pushim

Po kështu, pavijonet e kardiologjisë, kati i parë, kati i dytë, duhet të rezervojnë çdo ditë të paktën tre shtretër për çdo pavijon për të sëmurët e urgjencës së spitalit numër 1.
Pavijonet e tjera të sëmundjeve të brendshme duhet të kenë çdo ditë në dispozicion të urgjencës, të paktën dy shtretër për pavijon. “Marrja e këtij urdhri ishte një domosdoshmëri, pasi zbatimi i sistemit të referimit solli uljen e numrit të konsultave dhe rritjen e numrit të personave të shtruar në urgjencë. Ky urdhër do të sjellë mirë funksionimin e sistemit të urgjencës, pasi parashikon që asnjë nga pacientët të mos qëndrojë më shumë se 24 orë i shtruar në urgjencë”, sqaroi zyrtarisht qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›