E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjet, PS rihap çështjen Fazlliç

Debati Saimir Tahiri: Qeveria, presion prokurorisë. Alibeaj: Opozita pa argumente

Një raport i Ministrisë së Drejtësisë për inspektimin e punës së Prokurorisë, është kthyer në një përplasje të vërtetë në Komisionin Parlamentar të çështjeve Ligjore, duke rihapur dosjet e shumëpërfolura në vend. Në Komision ka raportuar vetë ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, i cili theksoi se puna e Prokurorisë është më e mirë se një vit më parë, por gjithsesi janë vërejtur shkelje procedurale në disa raste, duke përmendur disa dosje nga prokuroritë e një numri rrethesh të vendit. Deputetët e opozitës kanë ringritur çështjen e inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë para një viti për prokurorët që kanë tentuar të ndalojnë në Aeroportin e Rinasit, Damir Fazlliç, i cili u akuzua për një kohë të gjatë nga opozita për lidhje të afërta me familjen e Kryeministrit Berisha. Deputeti socialist, anëtar në Komisionin Parlamentar të çështjeve Ligjore, Saimir Tahiri, ka pyetur ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishani, në lidhje me inspektimin në Prokurori për çështjen “Fazlliç”, por ministri i është përgjigjur se çdo inspektim ka qenë sipas normave ligjore. Por deputeti socialist ka insistuar sërish, duke theksuar se ai inspektim është cilësuar i paligjshëm edhe nga Prokuroria dhe ka përmendur dhe një deklaratë të Nishanit në kohën kur ai ishte ministër i Brendshëm, që kishte thënë se do të kërkonte ndjekje penale për prokurorët që kanë kërkuar ndalimin e biznesmenit boshnjak, Damir Fazlliç. Por në këtë çast ka ndërhyrë kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, i cili ka theksuar se ministri është përgjigjur një herë, ndaj nuk mund ta pyesësh për herë të dytë. Megjithatë, Nishani ka marrë sërish fjalën, duke përsëritur përgjigjen e tij, ku ka theksuar gjithashtu se ishte në këtë seancë si ministër i Drejtësisë dhe për të raportuar për punën e këtij dikasteri dhe jo për performancën e tij si ministër i Brendshëm. Por nuk ka vonuar, dhe në debat ka ndërhyrë edhe ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, aktualisht deputet i PD-së, anëtar në Komisionin e Ligjeve. Alibeaj ka akuzuar opozitën se nuk ka argumente ligjore për punën e raportit të ministrit, ndaj sjell në diskutim çështje të vjetra, të cilat janë sqaruar me vendim të gjyqësorit. Ish-ministri ka shkuar edhe më tej, duke thumbuar një deputete socialiste, se kanë qenë pjesë e inspektorëve të ministrisë, por që janë larguar për paaftësi. Nuk ka vonuar replika e deputetes Shega Ligori, e cila ka theksuar se ata inspektorë janë larguar duke dhënë dorëheqjen për mospajtim me punën e titullarëve. Ndërkohë deputetët e tjerë socialistë si Ermonela Felaj, por edhe Shega Ligori, e kanë cilësuar raportin e Nishanit si joprofesional dhe larg realitetit. Por për deputetët e mazhorancës, puna e Ministrisë së Drejtësisë për kontrollin e punës së prokurorisë ka qenë korrekte dhe sipas ligjit. Deputeti Dashnor Sula, i cili ishte edhe relatori i çështjes, theksoi se kontrolli i Ministrisë së Drejtësisë duhet t’i shërbejë rritjes së punës së prokurorisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›