I nxehti afrikan kaplon Ballkanin

Vala e të nxehtit ka përfshirë tërë rajonin e Ballkanit, e njerëzit në forma të ndryshme po gjen shpëtimin nga temperaturat e larta.
Qendra Nacionale Meteorologjike në Athinë theksoi se temperaturat do të mbërrijnë rreth 39 gradë celsius, ndërsa gjatë ditëve të ardhshme nuk priten temperatura më të larta.
Për shkak të rreziqeve dhe frikës nga zjarret, shërbimet shtetërore janë në gatishmëri të plotë. Një zjarr ka shpërthyer në pjesën veriore në zonën e Zakintos, por zona e banuara nuk janë të rrezikuara.
Në 24 orët e fundit në Greqi janë regjistruar mbi 70 zjarre, por të gjitha janë nën kontroll.
Vala tropike e ka përfshirë edhe Kroacinë, duke marrë edhe jetë njerëzish. Gjatë fundjavës dhe në fillim të kësaj jave në Kroaci ndërruan jetë 11 veta, për shkak të temperaturave të larta. Zjarret gjithashtu kanë kapluar këtë vend, duke përfshirë edhe kufirin me Bosnjën.
Nga temperaturat e larta është goditur edhe Bosnjë-Hercegovina, mirëpo nuk ka ndonjë viktimë në këtë vend, për shkak se qytetarët i janë përmbajtur rekomandimeve të mjekëve.
Në Mal të Zi është shënuar temperatura më e lartë në 50 vitet e fundit duke arritur rreth 40 gradë.
Në Podgoricë dhe Danilovgrad janë regjistruar temperatura deri në 39 gradë celsius.
Mot i njëjtë ka mbretëruar edhe në Shqipëri, ku temperaturat kanë mbërritur rreth 40 gradë celsius, mirëpo qytetarët e këtij vendi kanë përzgjedhje për të kaluar periudhën e kësaj vale të të nxehtit pranë bregdetit shqiptar.
Meteorologët paralajmërojnë se koha me temperatura të larta do të mbajë deri në fund të kësaj jave, kur pritet freskia e parë dhe ndryshime graduale me ulje temperaturash gjatë javës së ardhshme.