E Shtunë, 31 Tetor 2026

I shpëtojnë mbytjes 3 vëllezër

24/03/2009  Dolën në det të trazuar për peshkim. Forcat e shpëtimit në gatishmëri, por ata dolën vetë në breg

Rrëfimi: Ishte det i vdekur, na kapi paniku për herë të parë në jetën tonë

FIER- Kanë qenë vetëm 300 m larg bregut të lumit Seman për të mbledhur rrjetat e peshkimit, por janë rrezikuar të mbyten. Tre peshkatarë, vëllezër, banorë të fshatit Topojë rreth 8 km larg Fierit të komunës Seman, kanë rrezikuar jetën e tyre në mëngjesin e ditës së hënë në grykëderdhjen e Vijës së Ngjalës, në ujërat e detit Adriatik, në plazhin e Semanit.

Rreziku

Aleksandër Lule 44 vjeç, Eduart Lule 42 vjeç dhe Fatmir Lule 37 vjeç, të ikur në një barkë të vogël me lopata kanë hedhur rrjetat për peshkim rreth 500 m larg bregut, rreth orës 6 e 30 minuta. Në këtë orë ata kanë ndeshur në një det të egërsuar me dallgë që kapnin fuqinë deri në 8 ballë. Përballë kësaj situate, peshkatarët janë përpjekur të dalin në bregun e rërës, por dallgët dhe dendësia e detit nuk kanë lejuar të vozisin barkën, pronë e tyre. Duke parë vështirësinë dhe rrezikun që u kanosej për jetën, peshkatarët kanë lajmëruar policinë lokale dhe madje edhe median. Për më shumë se 3 orë ata kanë luftuar me dallgët e detit dhe kanë kërkuar ndihmë. Policia fierake nga ana e saj ka njoftuar rojen bregdetare dhe ka vënë në shërbim edhe skafet e disa pronarëve të lokaleve ndërtuar në plazhin e Semanit. Peshkatarët kanë mundur të dalin në breg, duke u besuar forcës dhe eksperiencës së tyre mbi 20-vjeçare në peshkim. Ata u shprehën se pjesa e detit e cilësuar nga peshkatarët si “e vdekur” është mjaft e rrezikshme dhe fati në këtë rast ka qenë me ta. Tre peshkatarët nga fshati Topojë e Fierit rrëfejnë momentet e ferrit që ata kanë përjetuar në mes të detit.

Rrëfimi

Peshkatarët mbetën për më se 3 orë në det, pasi dallgët e detit i kanë tërhequr ata dhe barkën e tyre të vogël në thellësi. Pas shumë përpjekjesh pikërisht kur mbërritën forcat e policisë fierake dhe rojat bregdetare, 3 vëllezërit kanë mundur të dalin në breg të detit shëndoshë e mirë. “Kemi 20 vjet që merremi me peshkim. Kemi kaluar edhe momente shumë herë më të vështira. Por ky sot është det i vdekur. Deti i vdekur, ai që është peshkatar e di shumë mirë çdo të thotë. Det që të mbyt, det me shumë dallgë”,-ka thënë njëri prej vëllezërve Aleksandër Lule. “Ne kemi kaluar vështirësi edhe shumë herë të tjera, por këtë herë paniku dhe mosha tentuan të na vinin poshtë”,-ka thënë Edmondi. Ketë herë vërtet na zuri frika dhe kërkuam ndihmë. Dita e sotme ka qenë për ne, familjet dhe fëmijët tanë me shumë fat”. Tre vëllezërit Aleksandër, Eduart dhe Fatmir Lule kishin hyrë në det rreth orës 6 të mëngjesit të ditës së djeshme për të mbledhur rrjetat e peshkimit. Ata peshkonin për të furnizuar lokalin e tyre në fshatin Topojë në Fier, me të cilin siguronin mbijetesën e familjeve të tyre. Drejtori i policisë fierake Shemsi Premçi ka pohuar se policia fierake është vënë në gatishmëri për shpëtimin e 3 jetëve të rrezikuar në det. Nisur edhe nga përvoja e hidhur e 2 javëve më parë kur në Divjakë, policia ka mbërritur në vendngjarje me skaf, dhe motobarkë shpëtimi”. “Situata ka qenë nën vëzhgim dhe kontroll qysh kur kemi marrë sinjalin e parë nga peshkatarët”,-ka thënë Premçi. Kjo nisur edhe nga përvoja e hidhur e humbjes së jetës së 2 peshkatarëve në Divjakë rreth 2 janë më parë. Forcat e policisë fierake kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje së bashku me skafet e motobarkat e shpëtimit.

Dy javë më parë

Si u mbytën 2 peshkatarët

DIVJAKE- Dy peshkatarë nga Divjaka u zhdukën dy javë më parë në ujërat e detit Adriatik, në plazhin e Divjakës. Të mbyturit ishin Vangjel Llambi Trungu 60 vjeç dhe Stavri Sotir Prendi 48 vjeç, të cilët kishin dalë për të mbledhur rrjetat e peshkimit, që i kishin hedhur në det një natë para tragjedisë. Zhdukja e tyre atëherë u konfirmua nga 2 peshkatarë të tjerë, të cilët shkuan për t’i ndihmuar, por që nuk arritën për shkak të kushteve tejet të këqija të motit, pasi deti ishte i trazuar me shumë dallgë. Pak a shumë historia e dy peshkatarëve të mbytur 2 javë më parë në plazhin e Divjakës ishte e njëjtë me historinë e 3 peshkatarëve, përveç faktit që këta të fundit arritën të dilnin gjallë në breg. Atë ditë kur dy peshkatarët humbën në dallgët e Adriatikut u përpoqën të lundronin në ndihmë të tyre një motovedetë italiane dhe një mjet lundrimi i rojës bregdetare në Durrës, por pa sukses. Vangjel Trungu ishte baba i 2 fëmijëve, njëri prej të cilëve me probleme në shëndetin mendor, ndërsa bashkëshortja e tij po kurohet në Itali për shkak të problemeve ne veshka. Ndërsa Sotir Prendi është baba i 3 fëmijëve ende të vegjël.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›