Ofronte heroinë kundër dhimbjeve, kapet shpërndarësi
Një person që shpërndante drogë në afërsi të spitalit rajonal të qytetit të Korçës, është arrestuar nga policia mbrëmjen vonë të së martës. Operacioni i koduar “Shpërndarësi i Spitalit” ka vënë në pranga një 41-vjeçar që ndiqej prej kohësh nga strukturat e antidrogës. Arben Cenolli nga Korça duket se ka zgjedhur vendin për të kryer edhe shitjen e lëndëve narkotike të forta. Ai qëndronte në afërsi të spitalit civil të Korçës për të gjetur klientë, të cilëve u servirte heroinë. Pas sinjalizimit për një person që shpërndante lëndë narkotike afër spitalit, policia është vënë në ndjekje, derisa ka mundur të zbulojë dhe të dokumentojë rastin me prova, duke çuar edhe në arrestimin e Cenollit. Burimet policore bëjnë të ditur se 41-vjeçari u kap në orët e vona të mbrëmjes të së martës, në kushtet e flagrancës, ndërsa kishte përgatitur dozat që i kishte të destinuara për t’ua shitur pacientëve në moshë të re dhe personave që lëviznin në spital për probleme shëndetësore të ndryshme. Nga ana e Seksionit Kundër Narkotikëve është bërë e ditur se autori është kapur me një sasi prej 3.6 gramësh heroinë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij që ishte parkuar në afërsi të spitalit, policia ka gjetur dhe sekuestruar 15 doza heroine me peshë të përgjithshme 3.6 gramë. Burime pranë policisë kanë zbardhur për “Shqip” itinerarin që kryente Cenolli për të tregtuar drogën. Ai ndalonte personat që dilnin nga spitali për të marrë ilaçe tek farmacitë dhe u ofronte lëndë narkotike në vend të trajtimit me medikamente. Sipas policisë 41-vjeçari kapte edhe pacientë në moshë të re, duke u ofruar drogë për qetësimin e dhimbjeve nga sëmundjet. 41-vjeçari e parkonte makinën në afërsi të spitalit jo shumë larg nga taksitë dhe më pas në orët e mbrëmjes kryente edhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
#