E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat shtetërore në ankand, opozita kërkon listën e kompanive

10/03/2009  Komisioni i Ekonomisë do të mblidhet sërish sot

Opozita ka kundërshtuar ndryshimin e propozuar në projektligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”. Deputetët e Partisë Socialiste në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave kërkuan që diskutimi i këtij projektligji të shtyhet, pasi kërkuan një listë të plotë të objekteve si dhe sipërfaqen e plotë të truallit që po vihet në dispozicion të këtij ligji. Deputeti Andis Harasani kërkoi informacion në lidhje me aktivitetin e kompanive private sa prej tyre vijojnë të kryejnë aktivitet dhe sa kanë falimentuar. Përfaqësuesi i Ministrisë së Financave bëri me dije se ky projektligj ka në fokus rreth 100 kompani private, të cilat janë krijuar si të tilla në fillimet e viteve ’90. Për këto kompani do të lejohet blerja e tokës nga kompania, fond që do të kalojë në fondin e kompensimit të AKKP-së. Ky është edhe thelbi i këtij projektligji që propozohet që të krijojë kuadrin ligjor për shitjen e pasurive shtetërore për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Përfaqësuesja e Ministrisë së Ekonomisë, Mimoza Vokshi, bëri me dije se për shumë raste është konstatuar se ka abuzime me kriteret e privatizimit të trojeve shtetërore. 5 raste sipas saj janë çuar në Prokurori, pasi janë konstatuar abuzime me procedurën, po kështu në disa raste të tjera janë konstatuar hipotekime të paligjshme të trojeve. Për të gjitha këto parregullsi janë hapur edhe dosje në Prokurori, sipas Vokshit. Deputeti Arben Mala ka theksuar se çështja e pronave është bërë realisht një çështje mjaft e debatueshme për shkak se ka mbivendosje të legjislacionit. Sipas zotit Malaj, amullia e vendimeve juridike është bërë e pazgjidhshme. Për këtë arsye përfaqësuesit e Komisionit të Ekonomisë do të mblidhen sërish sot për të diskutuar në lidhje me këto ndryshime të propozuara.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›