Trojet publike, republikanët bashkohen me opozitën
Projektligji parashikonte blerjen e trojeve nga kompanitë që privatizuan ndërmarrjet shtetërore
Dy komisione parlamentarë kundër projektligjit të qeverisë për privatizimin e trojeve, ku janë ngritur ish-ndërmarrjet
TIRANË - Dy komisione parlamentare i "mbyllin derën", projektligjit që detyron privatizuesit e shoqërive me kapital shtetëror, që të blejnë truallin ku është ngritur ndërtesa, në të cilën ushtrojnë aktivitetin e tyre.
Gjatë shqyrtimeve njëkohësisht në komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe atë të Ekonomisë, propozimi i Këshillit të Ministrave për disa shtesa në ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", është konsideruar i paqartë dhe jo i plotë nga anëtarët e të dyja komisioneve parlamentare.
Në qoftë se në Komisionin e Ekonomisë shqyrtimi i mëtejshëm i tij, pas përmbushjes së kërkesave të opozitës, është shtyrë për sot, në atë të Ligjeve, ai është votuar kundër, me arsyetimin se këto ndryshime bëhen shkak për konflikte të reja ndërmjet ish-pronarëve.
Republikanët bashkuan votat me opozitën në komisionin e ligjeve, duke votuar kundër dhe duke e kthyer edhe njëherë për shqyrtim nen për nen këtë projektligj. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi tha në komisionin e ligjeve se nisma e qeverisë nuk është në përputhje me interesat e ish-pronarëve.
Ai tha se qeveria nuk është konsultuar për këtë projektligj me ish-pronarët. "Kërkojmë të na sillni me emra pronarët që pretendojnë mbi tokat ku janë ngritur ndërmarrjet, gjithashtu edhe emrat e kompanive.
Gjithashtu, ju duhet të na ofroni edhe informacione mbi gjendjen financiare të kompanive", - u shpreh deputeti Erion Braçe, duke u kërkuar përfaqësuesve të Ministrisë së Ekonomisë, vënien në dispozicion të deputetëve të materialeve plotësuese.
Referuar shtesave të propozuara për "Ligjin e kthimit dhe të kompensimit të tokës", shoqërive të cilat kanë më shumë sipërfaqe truall se ajo që nevojitet për të ushtruar aktivitetin e tyre, do t'u merret dhe do t'u kthehet ish-pronarëve, por ende nuk është bëre e ditur se cili do të jetë institucioni që do të shqyrtojë.
"Në vitet e para pas shembjes së komunizmit, për shkak se legjislacioni nuk ishte kaq i konsoliduar, shteti u ka dhënë këtyre shoqërive sipërfaqe të konsiderueshme toke, të cilat në shumicën e rasteve tejkalojnë nevojat e tyre". - u shpreh Alfred Rrushaj, këshilltar ligjor pranë Ministrisë së Ekonomisë. Ndryshimet në "Ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës", nuk përfshijnë ndërmarrjet e dhëna me koncension.
Drafti
Sipas ndryshimeve të propozuara nga Këshilli i Ministrave, një shoqëri tregtare, së cilës i është dhënë tokë me qira, duhet të blejë sipërfaqen, të cilën e ka të domosdoshme për ushtrimin e aktivitetit, ndërsa pjesa që nuk përfshihet në aktivitet dhe është e tepërt, duhet t'u kthehet ish-pronarëve të saj.
Në qoftë se toka ku është ngritur aktiviteti është pronë shtetërore, të ardhurat e përfituara nga shitja e saj kalojnë në fondin e kompensimit të ish-pronarëve, ndërsa kur toka e shitur i njihet një pronari, të ardhurat nga shitja e saj i kalojnë atij.
Institucioni përgjegjës për administrimin e shitjeve trojeve, do të jetë Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, e varur nga Ministria e Financave.
Në qoftë se shoqëria refuzon të blejë tokën brenda afatit të përcaktuar nga DASHPP-ja, trualli i kthehet pronarit të shpronësuar, kur ka një të tillë, dhe marrëdhëniet pronar-truall-shoqëri tregtare, rregullohen sipas legjislacionit civil.
Krahas arsyetimit se nuk u ishte ofruar informacion i mjaftueshëm për këto ndryshime në ligj, arsye tjetër e kundërshtimit të anëtarëve të opozitës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ishte edhe fakti se, në ndryshimet e propozuara, nuk parashikohej se si veprohej, nëse shoqëria tregtare refuzonte të blinte truallin, ku pronar ishte shteti dhe jo një subjekt privat.
Opozita: Projektligji, i mangët
TIRANË - Në të gjithë vendin, janë rreth 100 biznese me kapital shtetëror, ato të cilët preken nga ky projektligj, ndërkohë që ende nuk është bërë e ditur sipërfaqja e tokës që ato kanë nën administrim dhe fondi që do të përfitohet nga shitja e saj.
Mungesa e këtyre të dhënave dhe debatet mbi këtë fakt, ka bërë që anëtarët socialistë të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, të largohen nga salla e mbledhjes, duke bërë që Kryetari i Komisionit, Edmond Spaho, ta shtynte për ditën e sotshme shqyrtimin e mëtejshëm të shtesave në ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronave".
Gjithashtu, pjesë e kundërshtimeve të opozitës ishte edhe fakti se, në draft citohej që do të verifikoheshin të gjitha sipërfaqet e panevojshme për shoqëritë tregtare dhe ato do t'u ktheheshin ish-pronarëve, ndërkohë që nuk përcaktohej institucioni që do të kryente shqyrtimin.