E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Shkollat private, të mbushura me obezë

Familjet me të ardhura të larta dhe intelektuale kane tendencën për fëmijë obezë. "Gazeta Shqiptare" boton sot të dhënat e studimit të INSTAT ku ata që ndjekin shkollat private janë më shumë obezë se në shkollat publike. 

TIRANE-Fëmijët që mësojnë në shkollat 9-vjeçare private janë dyfish mbipeshë dhe obezë se moshatarët e tyre në shkollat 9-vjeçare publike. Ky është rezultati i studimit më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, ku u përfshinë 4 mijë nxënës në 200 shkolla të vendit.

Përveç nxënësve, pyetësorë plotësuan dhe prindërit e tyre. Sipas specialistëve, familjet me të ardhura të larta dhe intelektuale kishin tendencën për fëmijë obezë. "Nga të dhënat e studimit tonë, na ka rezultuar se ata që ndjekin shkollat private janë më shumë obezë dhe mbipeshë se moshatarët e tyre në shkollat publike. Kjo, sepse ata vijnë nga familje që kanë të ardhura më të mira dhe nuk i kursejnë paratë për t'u blerë fëmijëve të tyre pije me gaz apo fast-foode", - shpjegoi për "Gazeta Shqiptare" specialistja e ISHP-së, Jolanda Hysa.

Konsumimi i ushqimeve të konservuara dhe pijeve me gaz në shkollë ishte një nga shkaqet e mbipeshës tek nxënësit. Por, specialistët e Higjienës ndjehen të pafuqishëm për të ndaluar tregtimin e tyre në shkolla.

Specialistët e Shëndetit Publik po zhvillojnë në kryeqytet në 5 shkolla 9-vjeçare, takim me nxënës e mësues për t'i ndërgjegjësuar ata për rreziqet që i kanoset shëndetit të tyre prej mbipeshës dhe obezitetit. Obeziteti konsiderohet sfida e shëndetësisë në këtë shekull të ri. Kjo, pasi ai shkakton një sërë sëmundjes, por specialistët theksojnë se ato mund të parandalohen.

Mbi 80% e sëmundjeve ishemike të zemrës, 90% e diabetit të të rriturve dhe një treta e numrit të sëmurëve me kancer, si edhe të rasteve të vdekjeve ose vuajtjeve të lidhura me to, mund të parandalohen. Duhen për këtë vetëm tri masa të thjeshta: dietë ushqimore, aktivitet i përditshëm fizik dhe mospirje ose ndalim i duhanit. Masat e duhura mbrojtëse dhe evituese ndaj obezitetit, për fat të keq deri me sot kanë dështuar. Shoqëria dhe shëndetësia jonë në veçanti, pas transformimeve ekonomiko-shoqërore të dekadës së fundit janë kapur në befasi, kanë reaguar plogët dhe pa efekt.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›