E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP: Virozat stinore në rritje, kujdes nga luhatja e temperaturave

TIRANË- Pavarësisht temperaturave në rritje, luhatjet e motit gjatë ditëve të fundit kanë ndikuar në numrin e rasteve me simptoma të virozave stinore që kërkojnë ndihmë mjekësore në institucionet shëndetësore. Kujdes, sipas mjekëve duhet të tregohet sidomos me fëmijët dhe të moshuarit.

Mjekët pediatër thonë se tek fëmijët e vegjël është shtuar numri i rasteve me infeksione të rrugëve respiratore të ndikuara nga virozat stinore, ose dhe nga fenomenet alergjike, spazike, apo dhe të rrugëve respiratore.

Kështu, nga të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik bëhet e ditur se janë rreth 4900 raste me simptoma të infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme tek fëmijët nën 5 vjeç.

Numri i personave që shfaqin simptoma të virozave stinore, sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, arrin në rreth 12 000, nga të cilat rreth 10 900 janë raste me infeksione respiratore (të sipërme dhe të poshtme). Trendi në kohë i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme paraqet rritje, krahasuar me javën paraardhëse, kur ishin rreth 10 200 raste të tilla. Megjithatë, ky trend konsiderohet i qëndrueshëm, në një aktivitet të ulët të virozave. 

Mjekët këshillojnë për të gjithë mbajtjen e higjenës personale dhe larja e duarve sa më shpesh me ujë e sapun, vendosja e shamisë përpara fytyrës kur teshtin, etj. Në raste të shfaqjes së komplikacioneve, personat e sëmurë duhet të referohen tek mjeku i familjes, në mënyrë që nëse ka një infeksion të rrugëve të frymëmarrjes, me natyrë virale apo jo, të marrë ndihmën e duhur në kohën e duhur në mënyrë që të mos bëhet burim infeksioni.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›