E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP për A/H1N1: Të prekurit, simptoma të lehta

4 rastet e konstatuara me gripin e derrit në Shqipëri dhe 5 të tjera të dyshuara kanë simptoma të lehta. Drejtuesit e ISHP bëjnë të ditur se personat janë izoluar në shtëpi dhe janë nën kontrollin e mjekut. Ndërkohë po analizohen 193 mostra të tjera. 

TIRANE- Katër rastet e konstatuara me virusin A/H1N1 në Shqipëri dhe pesë rastet e tjera të dyshuara kanë simptoma të lehta dhe janë izoluar në shtëpi. Drejtuesit e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë të ditur se aktualisht në laborator po analizohen 193 mostra, të dërguara nga të gjithë spitalet e vendit.

“Asnjë person nuk është i shtruar, pasi kanë qenë me forma të lehta dhe izolimi është bërë në shtëpi, të gjithë janë nën kontrollin e mjekut. Rastet janë në Tiranë dhe vetëm një rast është jasht Tirane. Nuk kemi asnjë rast të moshës perdiatrike, dhe as të moshës mbi 50 vjeç. Kjo situatë edhe pse është fillimi është e ngjashme me vendet e tjera”- u shpreh specialistja në ISHP, Silva Bino.

Drejtuesit e Institutit të Shëndetit Publik deklarojnë se Shqipëria ka nevojë për 30 mijë doza Tamifluje që të përballojë pandeminë e gripit të derrit. Ndërkohë që aktualisht kanë mbërritur 1400 dozat e para.

“Sasia e Tamiflusë në ISHP është 1400 kura, kemi kërkuar që të kemi një stok prej 30 mijë kurash, pasi kjo është sasia për të përballuar të gjithë situatën sepse përdorimi i Tamiflusë nuk është i domosdoshëm të përdoret në format e lehta. Tamifluja jepet në bazë të gjykimit të mjekut dhe në ato raste kur mund të kalojë në forma të rënda. Ministria është në proces për të bërë dhe blerje të tjera”- theksoi Bino.

Drejtuesit e Institutit të Shëndetit Publik do të publikojnë dy herë në javë buletinin, në të cilin do të informojnë lidhur me shpërhapjen e virusit A/H1N1 në vendin tonë. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›