Jorgjie Truja në 100-vjetorin e lindjes së Lola Gjokës
Nis nesër konkursi mbarëkombëtar i zërave lirikë, “Jorgjie Truja”. Në edicionin VI të tij, ashtu si edhe në vitet e shkuara, do të marrin pjesë një numër i konsiderueshëm të rinjsh të grupuar në tre kategori sipas moshës. Anëtarë të jurisë do të jenë sopranoja amerikane Barbara Pearson, sopranoja italiane Paola Reali, sopranoja Elife Podvorica-Jashari, dirigjenti Zhani Ciko, i cili do të drejtojë edhe orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Koncertin e Finalistëve, si dhe personalitete të artit tonë. Përveç çmimeve të deklaruara për tre kategoritë sipas grupmoshave, në edicionin e këtij viti do të jepet edhe çmimi special "Quinzio Petrochi" për interpretimin më të mirë të lirikës italiane. Por ky edicion ka edhe një element të veçantë. Këtë vit ai zhvillohet në 100-vjetorin e lindjes së Artistes së Popullit, Lola Gjoka (1910-2010). Në nder të kësaj pianisteje të madhe do të jepet edhe çmimi special “Lola Gjoka” për interpretimin më të mirë të këngës artistike popullore.
#