Improvizim
Ka filma për të cilët ke dëshirë të zgjasin më shumë, e ka edhe filma që mëzi s’pret që të mbarojnë. Nëse do ta vendosnim filmin më të ri të regjisorit Halil Budakova “Azem Galica” në njërën prej dy kategorive të lartpërmendura, atëherë sigurisht se do t’i takonte të dytës.
Edhe pse ishte paraparë ta paraqesë jetën e heroit Azem Galica, filmi ishte i përqendruar kryesisht te betejat dhe luftërat nëpër fshatrat e Drenicës, të cilat më shumë u përngjanin përleshjeve dhe rrahjeve të djemve të mëhallës sesa betejave ndërmjet ushtrive. Nëpër filmat historikë të këtij lloji betejat zhvillohen ndërmjet ushtrive me mbi së paku 200, 300 apo një mijë ushtarë. Në këtë film, ushtarët e Azem Galicës nuk e kalonin numrin 15. Çuditërisht edhe ushtritë armike, turke, serbe e austro-hungareze nuk e kalonin këtë shifër. E për ta paraqitur sa më trim Azem Galicën do duhej shtuar numrin e ushtarëve kundërshtarë. Por, trimëria e tij është paraqitur ndryshe. Në secilën betejë, ushtarët armiq vriten pothuajse të gjithë, ndërsa prej ushtarëve të Azem Galicës asnjë as që lëndohet.
Megjithëse ishte munduar ta portretizonte sa më mirë rolin e Azem Galicës, nuk dihej a ishte Halil Budakova që luante në rolin e Azemit apo mos vallë Azem Galica ishte ngritur nga varri dhe luante në rolin e Halil Budakovës.
Edhe efektet speciale linin për të dëshiruar, ndërsa muzika, e kompozuar nga Korab Shaqiri, dukej sikur është huazuar nga ndonjë serial sentimental turk.
“Kemi dashtë me nxjerrë një histori që ka ekzistuar para njëqind vjetëve, kemi dashtë me nxjerrë figurën e kryelegjendarit të atëhershëm, Azem Bejtë Galica me bashkëpunëtorët dhe bashkëluftëtarët e tij”, tha regjisori Budakova në një konferencë për media, që u mbajt në kinemanë ABC, pas shfaqjes së premierës.
Ai tha se për kushtet dhe mundësitë tona është i kënaqur me efektet speciale. Budakova e lavdëroi edhe skenarin, të cilin e ka shkruar Zymber Kelmendi, duke u bazuar në librin e Bedri Tahirit.
“Skenari ka qenë më i gjatë, ka qenë një skenar i mrekullueshëm, por filmat historikë është vështirë më i përmbledhë në më pak se tri orë”, u shpreh Budakova.
Ndërkaq, lidhur me pyetjen se pse edhe në këtë film ai përpos si regjisor e luan vet edhe rolin kryesor e po ashtu edhe bashkëshortja e tij e luan rolin e Shotë Galicës, Budakova u përgjigj se nuk ka dashur ta luante rolin e Azemit, por autori i librit dhe pasardhësit e Azem Galicës i kanë propozuar atij që rolin e Azemit dhe Shotës ta luajnë Halili dhe Merita Budakova.
“Këtu s’ka kurrgjë të keqe, sepse Merita i përngjan origjinal Shotës, unë ndoshta ma pak Azemit, por jam mundu me realizu rolin”, tha ai.
Ai kërkoi nga shikuesit që ta shohin filmin me energji pozitive, ndërsa tregoi se më 10 shkurt do të shfaqet premiera e këtij filmi edhe në Tiranë në kinemanë Imperial.
“Jemi në tentativë për me shfaq filmin edhe në Shkup, në mënyrë që ta lidhim trekëndëshin Shkup-Tiranë-Prishtinë. Kjo është e rëndësishme sepse është film historik me karakter kombëtar”, tha ai.
Në mesin e aktorëve që luajnë në këtë film, i cili në Kinemanë ABC do të shfaqet në tri termine, në ora 17:00, 19:00 dhe 21:00, janë edhe Reshat Arbana, Çun Lajçi, Enver Petrovci, Adem Mikullovci, Hadi Shehu etj.
Megjithëse filmi lë shumë për të dëshiruar, duhet ditur se institucionet e vendit nuk i kanë dhënë aspak përkrahje për realizimin e filmit. E derisa kolegët e tij regjisorë për të realizuar ndonjë film presin vetëm mbështetjen e institucioneve, Budakova ka arritur që me forcat e veta të gjejë sponsorë që e kanë mbështetur. Po ashtu, derisa ndonjë film që është mbështetur me qindra mijëra euro nga institucionet nuk ka arritur të mbledhë as një mijë shikues, Budakova pret që edhe kësaj radhe do të thyejë rekord sa i përket shikueshmërisë.
Ai tregoi se nuk do të pushojë pas këtij filmi por do të punojë për projekte tjera.
“Jam në mes të dy projekteve. Megjithatë e kam edhe një ofertë si aktor në një film në perëndim”, tha ai, duke mos treguar se për çfarë filmi bëhet fjalë.