E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inaugurohet kontrolli qendror i trenave

Drejtuesit e Ministrisë së Transportit dhe të Hekurudhave të Kosovës përuruan sot fillimin e kontrollimit qendror të lëvizjes së trenave, në linjën hekurudhore Mitrovicë Fushë-Kosovë Ferizaj - Hani i Elezit. Ky projekt është financuar me 3 milionë e 375 mijë euro nga Buxheti i Kosovës.

Ministri i Transportit dhe i Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, tha se Hekurudhat e Kosovës kanë përfunduar një projekt shumë të rëndësishëm, atë të modernizimit të linjës së dhjetë, që do të ndikojë në ngritjen e sigurisë në komunikacionin hekurudhor dhe do ta bëjë të mundur kontrollimin e lëvizjes së trenave nga qendra.

Limaj shprehur bindjen se ky projekt do ta ngrisë cilësinë, efektshmërinë dhe sigurinë e qarkullimit të trenave në këtë linjë hekurudhore. Krahas sektorit rrugor, Limaj theksoi se MTPT është e angazhuar edhe në përmirësimin e sektorit hekurudhor, i cili ka një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

MTPT zotohet se do të angazhohet që kjo linjë hekurudhore ti plotësojë kërkesat, të cilat dalin nga Komisioni Evropian, në mënyrë që në një të ardhme të afërt ajo të jetë pjesë e pandashme e Rrjetit të Integruar Hekurudhor të Bashkimit Evropian.

Ministri Limaj bëri të ditur se në bashkëveprim me MEF-in është duke u punuar në përgatitjet për ndarjen e Hekurudhave të Kosovës, në dy kompani të reja: Infrastrukturën Hekurudhore të Kosovës SHA dhe Operimin me Trena të hekurudhave të Kosovës SHA. Kjo ndarje parashihet edhe me Ligjin mbi Hekurudhat e Kosovës dhe njëkohësisht është kërkesë edhe e Komisionit Evropian. Në të njëjtën kohë kjo do të mundësojë tërheqjen e investimeve.

Kryetari i Bordit të Hekurudhave të Kosovës, Sejdi Hoxha, falënderoi Qeverinë dhe MTPT-në për ndarjen e mjeteve me të cilat u mundësua realizimi i këtij projekti me rëndësi për Hekurudhat e Kosovës.

Kurse kryeshefi i Hekurudhave, Xhavat Ramosaj, saktësoi se në zbatimin e këtij projekti kanë punuar tri kompani: Iskra Sistemi nga Sllovenia, Alprom nga Kroacia dhe Step nga Bosnja.

Linja hekurudhore Mitrovicë Fushë-Kosovë Ferizaj - Hani i Elezit e lidh Kosovën me Maqedoninë dhe Serbinë dhe ka hyrë në prioritetet e Komisionit Evropian.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›