E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidentet ne fushate 3 ne pranga e 4 ne kerkim

Vetëm një ditë pas incidenteve elektorale të ndodhura në Kashar e Bathore mbi simbolet elektorale, policia e Tiranës ka dalë me një deklaratë të posaçme për shtyp. Kështu, është bërë me dije se për ngjarjen në Kashar është bërë arrestimi i dy vëllezërve Luan Sulaj, 32 vjeç dhe Viktor Sulaj, 27 vjeç, të cilët një ditë më parë kërcënuan me armë dhe goditën me sende të forta Fatjon dhe Genci Kamberin.

Ndërkohë që, për të njëjtën ngjarje janë shpallur në kërkim dhe Alfred Sula, Ismail Sula, Ramazan Sula dhe Ndriçim Lleshi. Sakaq policia dha detaje dhe për ngjarjen e Bathores, por iu drejtua dhe subjekteve politike duke thënë se policia do të bazohet në kodin zgjedhore gjatë veprimtarisë së saj.

“Për ngjarjen në Bathore, është bërë arrestimi i shtetasit Krenar Bajram Baja, 21 vjeç, me banim në Bathore, Tiranë. Arrestimi i tij u krye në orën 24.00 sepse pas një konflikti midis simpatizanteve të dy subjekteve politike, shtetasi  i mësipërm dyshohet të jetë autor i dëmtimit të dy automjeteve tip Volzvagen Bora dhe Golf, në pronësi të shtetasve Elvis Nazmi Vladi, 20 vjeç, Ardian Bajram Ali, 26 vjeç, banues në Tapizë. Policia e Tiranës siguron paanshmëri, objektivitet, trasparencë dhe angazhim serioz për përmbushjen e të gjitha detyrave e përgjegjësive të ngarkuara me ligj”- tha  zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini.

Pas hapjes së fushatës zgjedhore simpatizante të forcave politike janë konfrontuar mes tyre mbi vendosjen e simboleve politike të cilat u kontestuan dhe nga policia bashkiake.

Jul Kasapi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›