E Shtunë, 31 Tetor 2026

Indi, del në qarkullim monedha me imazhin e Nënë Terezës


Populli indian ka vendosur që ta nderojë humanisten e madhe me origjinë shqiptare, Nënë Terezën, duke e vendosur imazhin e saj në monedhën vendase, më saktë në prerjen 5 rupi e cila është monedha indiane. Ky nderim i veçantë për një prej figurave më të mëdha të njerëzimit, është kryer nga qeveria indiane në kuadër të festimeve të shumta për nder të 100-vjetorit të lindjes së humanistes shqiptare e cila u lind në Shkup të Maqedonisë, në 26 gushtë të vitit 1910.
Ministri indian i financave Pranab Mukherjee ia ka prezantuar ditën e dielë për herë të parë monedhën me imazhin e Nënë Terezës presidentit të vendit, Pratibha Devisingh Patil. Gjatë këtij aktiviteti presidenti i Indisë foli me superlativat më të larta për njeriun më të adhuruar në Indi pas figurës së Gandit.
"Nënë Tereza është dhe mbetet një mishërim i dhëmbshurisë. Ajo arriti me një vetmohim të parrëfyeshëm të shpërndante mesazhin hyjnor të paqes. Nënë Tereza është personifikimi më i plotë i figurës madhore të Nënës."- u shpreh presidenti i Indisë, Patil.
Nënë Tereza ka qenë dhe mbetet një nga personat më të vlerësuar në historinë e njerëzimit me çmime të shumta të fituara në saj të angazhimit në veprimtaritë e shumta bamirëse në të gjithë globin. Por epiqendra e punës së gjigande të humanistes ka qenë një nga qytetet me varfëra të botës, Kalkuta, ku edhe Nëna Terezë hapi qëndrën e saj të parë humanitare për njerëzit e vobektë, invalidët, të verbërit e shumë shtresave të tjera pa ndihmë ekonomike.
Kulmi i vlerësimeve të punës së humanistes me origjinë shqiptarë është fitimi i çmimit prestigjoz Nobel për Paqen. Nënë Tereza e pranoi këtë vlerësim të madh në vitin 1979.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›